Sulmohet fizikisht kryetari i Leposaviqit

20 gusht 2019 | 15:02

Një përleshje fizike ka ndodhur të dielën mbrëma në Leposaviq, gjatë një turniri tradicional në futboll të vogël, me ç’rast disa persona kanë rrahur kryetarin e kësaj komune, Zoran Todiq, si dhe bashkëpunëtorin e tij, Stevo Petronijeviq.
Burime të sigurta të “Kosovapress”-it kanë bërë me dije se Todiqi dhe Petronijeviqi janë rrahur nga Andrija Antonijeviq me shokë, derisa po qëndronin në publik duke shikuar lojën.

“Kryetari Todiq dhe bashkëpunëtori i tij kanë qenë në gjendje të dehur dhe kanë provokuar vazhdimisht njerëzit përreth të cilët po shikonin lojën e turnirit. Në një moment, Andrija Antonijeviq, qytetar nga Leposaviqi, së bashku me disa shokë të tij, kanë filluar t’i sulmojnë fizikisht kryetarin e kësaj komune dhe bashkëpunëtorin e tij, me ç’rast kryetari Todiq, pas marrjes së disa shpullave fytyrës ka arritur të ikë, ndërsa bashkëpunëtori i tij Stevo Petronijeviq, është rrahur keq dhe ka pësuar lëndime serioze”, kanë thënë burimet e “Kosovapress”-it.

Këto burime kanë theksuar se përkundër prezencës së pjesëtarëve të policisë në këtë ngjarje, askush nga policët nuk ka reaguar për të parandaluar përleshjen që ka zgjatur më shumë se pesë minuta, madje as nuk është evidentuar incidenti në raportin 24 orësh policor.

“Kosovapress”-i ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiq, por pa sukses, ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur edhe me përgjegjësit e policisë për rajonin e veriut, të cilët pothuajse gjatë tërë ditës kanë qenë të pa qasshëm në telefon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Haki Abazi është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Lajmin e…