Sveçla: Serbët refuzuan ofertën e KFOR-it

28 shtator 2021 | 16:44

Kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Këto komente ai i ka bërë të martën gjatë një konference për media në Prishtinë, pas një takimi që pati me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta veçse e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Sveçla.

Ministri Sveçla ka theksuar se mirëpret ndihmën e misionit të KFOR-it dhe EULEX-it, por ka shtuar se Policia e Kosovës është e aftë që të sigurojë zbatimin e ligjit, shkruan “Radio Evropa e Lirië”.

“Situata atje është e qetë dhe e kontrolluar, me ndihmën e shteteve aleate dhe me ndihmën e misioneve aleate, paqësisht do ta tejkalojmë këtë situatë”, ka thënë Sveçla.

Rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara për të nëntën ditë me radhë.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale, në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Në anën tjetër, ushtria serbe ka rritur nivelin e gatishmërisë luftarake përgjatë kufirit me Kosovën, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq. Megjithatë, ai ka thënë se ushtria “nuk ka hyrë ku nuk duhet të hyjë”.

Ai ka thënë për televizionin serb “Pink TV” se ngritja e gatishmërisë ushtarake është “mbi të gjitha një mekanizëm parandalues”.

“Ky është vendim sovran dhe kemi të drejtë të vendosemi në territorin tonë. Askush nuk do të na tregojë çfarë të bëjmë”, ka thënë Stefanoviqi.

Të martën, më 28 shtator, disa deputetë të Parlamentit Evropian, që janë raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor, të martën u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për situatën në veri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse qeveria britanike ka siguruar se ka karburant të…