Sylvinho: Pas Evropianit dua ta dërgoj Shqipërinë edhe në Botërorin 2026

29 nëntor 2023 | 11:10

Një ndër intervistat e shumta të këtyre ditëve nga Sylvinho pas kualifikimit në Evropian, është edhe ajo që ka dhënë për faqen “cronachedispogliatoio”.

Trajneri shprehet se objektivi i tij është ta dërgojë Shqipërinë në Botëror pas “Euro 2024”, si dhe zbulon urimin e Roberto Mançinit pas suksesit që braziliani arriti.

“Në vërshëllimin e fundit të gjyqtarit kundër Moldavisë, shpërtheva. Kam nxjerrë jashtë gjithë ankthin dhe gëzimin e 10 muajve punë. Kam vrapuar për të festuar me njerëzit kualifikimin për në Evropian”, thotë fillimisht Sylvinho.

I pyetur se kur kishte dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë, trajneri thotë se nga Rei Manaj: “E dija ekzistencën e Shqipërisë vetëm përmes Rei Manajt që e kam trajnuar tek Interi. Nuk dija asgjë më shumë. Më pas kam mbërritur aty dhe kam parë që të gjithë njerëzit flasin italisht, e njohin, flasin anglisht, spanjisht. Është e rëndësishme që një trajner të flasë pa një përkthyes”, ishin fjalët e Sylvinho.

Trajneri 49-vjeçar shprehet se ka një ngjashmëri mes shqiptarëve dhe brazilianëve dhe kjo është vënë re nga vetë ai: “Shqiptarët janë njerëz të ngrohtë dhe mikpritës, si ne brazilianët. Më kanë bërë që të ndihem si në shtëpi, që në fillim kur kam ardhur: më kanë ofruar kafe dhe darkë kudo”, shprehet trajneri i Shqipërisë.

Shqipëria mori një barazim tepër të rëndësishëm në Pragë, ku goli i Bajramit ishte si një pikë kthese për këtë kualifikim. Atmosfera në stadium sipas Sylvinho ishte e jashtëzakonshme, kur shumë shqiptarë e bënë atë të ndihej sikur luante në shtëpi: “Kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme në Pragë, kundër Republikës Çeke. Më dukej dikur luaja në shtëpi. Ishte plot me shqiptarë”, tregon Silvinjo për ndjesitë e asaj transferte.

Trajneri brazilian zbulon urimin që ka marrë pas suksesit: “Pas kualifikimit më ka shkruar Mançini dhe më ka dërguar komplimentet e tij. Më ka trajnuar dhe më pas kam qenë ndihmës i tij tek Interi. Është një fitues, Inter, Siti dhe te Kombëtarja. Kudo që ka drejtuar e ka çuar skuadrën në një nivel shumë të lartë”, thotë ai.

“Shqipërisë nuk duhet t’i mjaftojë kualifikimi. Nuk duhet të shkojë në Evropian dhe pastaj të zhduket. Dua të krijoj një mentalitet që në çdo Evropian dhe Botëror, Shqipëria të kualifikohet. Ky është objektivi im pas Evropianit. Dua që të dërgoj Shqipërinë në Botërorin e 2026. Ky duhet të jetë vetëm fillimi”, përfundon trajneri i kuqezinjve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka bërë me dije të…