Tahiri i thotë Haxhiut se është sanksionuar nga ShBA-ja, ajo e lëshon sallën e Kuvendit

10 nëntor 11:43

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka vazhduar debati mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Derisa Haxhiu ka pyetur Tahirin nëse është i gatshëm të jap dorëheqje nëse deklaratat e tij se në veri të vendit nuk ka gjyqtarë e prokurorë, dalin të pavërteta, Tahiri i ka thënë ministres se si deputetë kanë provuar ta kursejnë nga kritikat.

Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Tahiri ia ka përmendur ministres Haxhiu edhe raportimet për refuzimin e vizës për ministren e cila kishte planifikuar vizitë në ShBA.

“Ne jemi në mbështetje të plotë të sovranitetit të shtetit tonë. Ne si deputetë deshëm me ju kursyer pak, se nuk është e mirë as për mu si deputet me dal me fol për një ministre që është e sanksionume nga bota perëndimore, që është e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Tahiri.

Pasi Tahiri ia ka përmendur Haxhiut “sanksionimin” nga ShBA, ministrja është larguar nga salla e Kuvendit.

“Ju kërkojmë që të jeni në krye të përgjegjësive tuaja si ministra, si kryeministri, si gjyqtarë e prokurorë. Ne ju kërkojmë të jeni në krye të përgjegjësive tuaja”, ka deklaruar ai.

Deputeti Tahiri ka deklaruar se po të ishte në vendin e Haxhiut do të ofronte dorëheqje nga posti i ministres.

Kujtojmë se për vizitën në ShBA dje ka folur edhe ministrja Haxhiu e cila ka deklaruar se lajmet për refuzim të vizës nga autoritetet amerikane janë të pavërteta, por se ka thënë që është pajtuar me zyrtarët amerikanë që vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara ta shtyjë për një datë tjetër duke marrë parasysh situatën.

Në anën tjetër, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur sa i përket raportimeve të lartcekura, i cili ka thënë se ShBA-të nuk mendojnë se është koha e duhur që ministrat kosovarë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara deri sa situata të qetësohet pas zhvillimeve në veri të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Muriqi e ka dhënë një intervistë speciale për “Radioestadio”,…