Tahiri kërkon llogari nga Qeveria Kurti për mosmiratimin e Ligjit për pagat
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës llogari për mosmiratimin e Ligjit për pagat në sektorin publik.
Ai ka thënë se përmes miratimit të këtij ligji nuk ngritën pagat, por rregullohen ato dhe jepen në mënyrë të dinjitetshme.
Më tutje, Tahiri ka thënë se kur ky ligj që është votuar gjatë kohës se Qeverisë Haradinaj ka pasur lëvdata edhe nga Bashkimi Evropian.
“Ky ligj kur u votua, ka pas lëvdata nga BE-ja. Sepse pas shumë viteve qeveria ka kaluar një ligj që ka rëndësi të veçantë. Ka ndodhë diçka e pazakontë e pabesueshme një neglizhencë që nuk ka shpjegim tjetër ose mungesë vullneti ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe. Pasi që nuk ka asnjë veprim të deritanishëm. Duhet me dhënë përgjigje disa përgjigje, Xhelal Sveçla dhe ai i Financave. A mundet zotëri Sveçla, si mund që një ligj të vendoset në agjendën legjislative një ligj e nuk konsultoheni me askënd, dhe nuk e trajtoni fare këtë ligj. Ku është ligji sot? Cila është përmbajtja e tij sot? A keni nda me sindikatat? A keni fol me ta? A bën me na tregu pse nuk ka ndodhë asnjë veprim, pse s’keni tregu në fillim që nuk do ta sillni në Kuvend”, ka thënë ai në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri ka diskutuar edhe për problemin e Qeverisë “Kurti”, me sindikatën e arsimit dhe atë të shëndetësisë.
Ai ka thënë se nuk përfshihet në debatin mes tyre, por se e njeh mirë mënyrën se si funksionojnë ato.
“Ministri Hekuran Murati, tregona pse se ke bërë, a e ke pas si neglizhencë? S’e ke pas prioritet? Nuk dua të përfshihem në debatin mes juve dhe sindikatat. E di si funksionojnë ato, jam marrë me to më herët. Unë jam pajtuar të mos pajtohem me ta. Sa i përket debatit mes Qeverisë dhe sindikatave, këtu nuk përfshihem. Por ne kemi problem me 80 mijë shërbyes civil që do të përfitonin nga ky ligj që ju vetë e keni vendos. Ne kemi pas debat e kundërshtime të ashpra me Rahman Jasharajn, e kemi diskutuar temën e koeficienteve, njëjtë kemi fol me punëtorët e shëndetësisë. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, përmes këtij debati mendojmë të arrijmë ta buxhetojmë ligjin e pagave”, ka thënë Tahiri.



