Tahiri: Kur të merremi vesh ta shpërndajmë Kuvendin, PDK-ja i voton marrëveshjet ndërkombëtare

04 tetor 2023 | 14:10

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare deri kur të merret vendimi për shkuarje në zgjedhje të reja.

Këtë deklaratë, Tahiri e ka dhënë si kundërpërgjigje ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se nëse kjo legjislaturë nuk është në gjendje t’i kalojë marrëveshjet ndërkombëtare “nuk ia vlen të ekzistojë”.

“Grupi parlamentar i PDK-së sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare e ka qëndrimin e qartë për të gjithë projektligjet që vijnë këtu në Kuvend. Ne nuk votojmë dhe krejt çka kërkojmë dhe angazhohemi është që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve. Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që të dakordohemi kur ta çojmë vendin në zgjedhje, ta shpërndajmë këtë legjislaturë jofunksionale jemi dakord që brenda asaj dite do t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Pra, atë ditë që ne dakordohemi që të shpërbëhet ky Parlament, të njëjtën ditë do t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Por, jo me këtë jonfunksionalitet që është duke vazhduar që një kohë të gjatë nuk ia vlen me shpenzimin e parasë publike”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se fakt tjetër për këtë është edhe se Kosova gjendet nën sanksione ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar deputetët…