Tahiri: Kushtetuesja duhet t’i japë të drejtë shumicës parlamentare

26 maj 2020 | 14:59

Gjykata Kushtetuese duhet që brenda tri ditëve të ardhshme të vendosë për dekretin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë.

Njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, në një intervistë për “Kosovapress” pret që Kushtetuesja të vendosë në favor të dekretit të presidentit, i cili i jep mundësinë Avdullah Hotit të LDK-së për të formuar qeverinë e re.

Tahiri madje ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë në asnjë version tjetër, përveç që të respektojë shumicën e vullnetit të Kuvendit, e që është edhe vullnet i popullit.

“Vendimi i Gjykatës sipas qëndrimit tim nuk mund të jetë ndryshe përveç të respektojë vullnetin e popullit. Të respektojë shumicën parlamentare, të respektojë parlamentin dhe t’i jep mundësi cilësdo parti ose cilitdo koalicion, ose cilitdo grup të partive politike që ta krijojnë qeverinë në parlament dhe sa herë shumica në parlament ndryshon aq herë ndryshon qeveria”, ka thënë Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi është duke insistuar se është fitues e zgjedhjeve dhe se vetëm ajo ka të drejtë të formojë qeverinë në këtë mandat. Por, politologu Tahiri ka shpjeguar se në sistemin çfarë është Kosova, nuk ka fitues dhe humbës fiktiv,  duke shtuar se fituese mund të llogaritet një parti, apo koalicion që arrin të bëjë shumicën e thjeshtë në Kuvend.

“Nuk ka fitues dhe humbës fiktiv por ka real. Secili fitues është ai që ka marr vota dhe është në parlament dhe fitues është koalicioni në kuptimin që i bën votat bashkërisht dhe e bën më shumë se 50 plus 1 për qind të votave dhe e bën qeverinë. Një parti që ka dal e para e ka vetëm mundësinë vetëm që e para e të provojë ta bëjë qeverinë, por nëse nuk gjen partnerë ajo e dorëzon mandatin dhe qeverinë e bëjnë të tjerët. Gjithmonë ka qenë kështu, gjithmonë do të jetë kështu dhe ky është parim themelor i demokracisë parlamentare. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Nuk mundet gjykata të merr një vendim t’i japë të drejtë një partie e cila konsiderohet fituese që ka dalë e para. Por ky nuk është term i saktë i definicionit të fituesit. Fitues për formimi ne qeverisë janë ata që mund ta bëjnë qeverinë, jo ata që kanë dalë të parët, të dytën ose të tretët”, është shprehur Tahiri.

Duke u bazuar në këto rrethana, Tahiri ka thënë se një parti që ka vetëm ¼ të votave nuk mund ta bllokojë shumicën parlamentare. Ai ka thënë e asnjë koalicion apo parti që nuk i ka 61 deputetë nuk mund ta formojë qeverinë në Kosovë.

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se do të pranojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese vetëm nëse është në favor të tyre, Tahiri pret që të gjitha partitë do të pajtohen me aktgjykimin e Kushtetueses.

“Unë besoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet dhe palët do të pajtohen që të zgjedhin qeverinë, që parlamenti të vazhdojë dhe deri sa është kjo shumicë vendi nuk shkon në zgjedhje. Vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm me pajtim të parlamentit. Asnjëherë presidenti i Kosovës nuk mund ta qojë vendin në zgjedhje nëse parlamenti nuk e shpërndan veten me dy të tretat, nëse shumica e partive parlamentare që e përbëjnë shumicën në parlament nuk deklarohen te presidenti që duan të shko0jnë në zgjedhje. Ose në kërkesën për mocion të votëbesimi nuk shkruhet që vendi do të shkojë në zgjedhje pas mocionit të suksesshëm”, është shprehur Tahiri.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit për mandatarin për formimin e qeverisë dhe deri më 29 maj duhet të marrë një vendim, ose të vazhdojë pezullimin, ose të nxjerr një aktgjykim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj…