Tahiri numëron dështimet për menaxhimin e pandemisë

07 gusht 2020 | 17:45

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën që po mbahet lidhur me projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë Covid-19 në Kosovë, ka numëruar dështimet e Qeverisë Kurti dhe Hoti, lidhur me menaxhimin e pandemisë.

“Kemi hyre ne muajin e gjashtë prej se ballafaqohemi me këtë pandemi, e në vend se në muajin e 6 të këtij ballafaqimi, ne do të duhej ta kishim fituar luftën me të, në fakt për shtatë muaj, s’kemi parë asgjë më pak sesa një fitore të plotë të Covid-19 përballë kapaciteteve tona shtetërore. Ka shumë arsye që e kanë sjellë këtë gjendje, por në krye të të gjithave, qëndron qeverisja, si mjet për ta parandaluar dhe luftuar pandeminë. Kur jemi te qeverisja, brenda këtyre 6 muajve të ballafaqimit me Covid-19 siç e dini, kemi parë dy modele. Dhe ka një lidhje shumë të fuqishme në mes këtyre dy modeleve që na i kanë shërbyer fillimisht qeveria e Albin Kurtit dhe aktualisht kjo e Avdullah Hotit, e përbashkëta e të cilave është dështimi i plotë, paaftësia dhe papërgjegjësia në menaxhimin e situatës”, ka thënë Tahiri.

Ai tutje ka shtuar se në modelin e Albin Kurtit, pati një mbyllje totale, antikushtetuese, pa plan, pa strategji dhe pa përgjegjësi, që i dha një impuls të plotë regresi mënyrës sonë të jetesës. “Ky model la pasoja të mëdha për ekonominë, shëndetin publik, të drejtat themelore, dhe që na futi në një gjendje për të cilën nuk kishte ide se si të dilej. Në emër të luftës kundër pandemisë, edhe pse kjo luftë bëhej kryesisht nëpër konferenca shtypi, u shpërfillën dhe u shkelën të gjitha kufizimet e nevojshme kushtetuese që garantojnë funksionimin normal të kësaj Republike, ani pse u refuzua gjendja e jashtëzakonshme e mbështetur në Kushtetutë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, Albin Kurti me veprime ad hoc, anti kushtetuese, të pa menduara dhe të kopjuara kuturu, për të cilat më shumë krijoi dyshime sesa zgjidhi probleme, e solli vendin në prag të kolapsit dhe i hapi rrugën dështimit. “Dështoi me testime, dështoi me shërbime, dështoi me kapacitete, dështoi me parandalim. Por, një prej dështimeve themelore që i kemi trashëguar nga periudha e tij e shkurtë në qeverisje, është mungesa e qartësisë për masat që duhej për ta luftuar pandeminë si rrezik për shëndetin, për dallim nga masat që duhej për ta ruajtur ekonominë. Ai në fakt, duke performuar sikur po i menaxhon që të dyja, dështoi për ta luftuar virusin si rrezik për shëndetin, e përmes këtij dështimi infektoi edhe ekonominë, duke i lënë që të dyja në baltë. Për tre muaj të ballafaqimit me Covid-19 , qeveria e Albin Kurtit e nxiti një rënie të lirë të këtij shteti, të tillë çfarë s’ka fuqi ta ndalojë qeveria e Avdullah Hotit. Për dallim prej tij, në modelin e Avdullah Hotit, pati një hapje totale, pa plan, pa strategji, ku u harrua virusi e u përpoq të trajtohej ekonomia, dhe nga kjo përpjekje e pa takt për t’i ndarë këto të dyja, virusi mori shtrije të pa kontrolluar e ekonomia mbeti aty ku ka qenë, pa zbatimin e qoftë edhe asaj Pakoje emergjente që u trumbetua si ndihmë, ani pse ishte asgjë më shumë se një lëmoshë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se në vend të fokusit në parandalim, qeveria u fokusua në negocim. Pra, shpërfilli rrezikun e virusit e negocioi me palë të interesit, herë duke ju dhënë e herë duke ju marrë leje për veprimtari afariste.

“Si pasojë e këtij mos serioziteti, besoni ose jo, edhe sot e kësaj dite qytetarët vazhdojnë t’i bëjnë të gjitha ato veprime që qeveria i ka ndaluar. Dhe kjo më së miri shprehet pikërisht rreth temës për të cilën jemi mbledhur sot. Albin Kurti ka dështuar ta sjellë në Kuvend projektligjin anti COVID, dhe të njëjtën traditë e ka vazhduar edhe Avdullah Hoti. Dështimi i këtyre dy kryeministrave, i ka kushtuar aq shumë qytetarëve, ekonomisë, sistemit shëndetësor dhe vetë shtetit tonë, sa këtë faturë vështirë se do të mund ta paguajmë pa pasoja”, ka thënë pos tjerash Tahiri.

A.M /Epoka e re

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teatri “Dodona” prej tash e tutje do ta ketë uebfaqen…