Tahiri: Do të definohet statusi i qirasë 99-vjeçare mbi pronën shoqërore të privatizuar

30 janar 2018 | 10:34

Ndryshimet që janë duke u bërë në legjislacionin që rregullon pronësinë dhe të drejtat sendore në Republikën e Kosovës, së shpejti do të qartësojnë edhe statusin e qirasë 99 vjeçare mbi pronën shoqërore të privatizuar.

Këtë gjë e bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në Facebook.

Sipas ministrit, vetë ndërtimi i Republikës është bërë mbi parimet e të drejtave individuale, ekonomisë së tregut dhe garantimit të pronës private si themel i zhvillimit ekonomik, andaj edhe zbatimi i këtyre parimeve kërkon masa të qarta ligjore të cilat krijojnë siguri juridike në mbështetje të këtij orientimi të përbashkët politik dhe ekonomik.

“Tashmë kam filluar ndryshimin e bazës ligjore për Pronësinë dhe të drejtat tjera sendore në Republikën e Kosovës. Përmes këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve të kuadrit ligjor relevant do të definohen qartë llojet e pronësisë, titullarët dhe përmbajtjen e të drejtave pronësore në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. Konkretisht do të definohet statusi i tokës ndërtimore në zonat urbane dhe statusi i të drejtës së shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërive për të krijuar një të drejtë të definuar qartë mbi ndërtesën dhe tokën mbi të cilën është ndërtuar ajo si dhe do të qartësojë të drejtat e shtetasve të huaj për të poseduar pronë në Republikën e Kosovës” ka shkruar Tahiri.

Ndryshimi më i rëndësishëm, ai i qartësimit të statusit të qirasë, sipas Tahirit, përafron edhe më shumë legjislacionin e Kosovës me standardet dhe rregullativën e BE-së.

“Komponentë me rëndësi e këtyre ndryshimeve është edhe qartësimi i statusit të qirasë 99 vjeçare mbi pronë shoqërore të privatizuar. Aspiratat tona për integrim në BE qartë definojnë edhe nevojën që pronësia të jetë e definuar konform standardeve dhe rregullativës së BE-së e cila nuk njeh konceptet pronësore të sistemeve të kaluara socialiste. Unë jam i bindur se këto reforma do të fuqizojnë sundimin e ligjit, dhe rrjedhimisht do të sigurojnë zhvillim të mirëfilltë ekonomik si parakusht themelor për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Tahiri në fund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadri Ramabajës i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për…