Tahiri: Vazhdon degradimi i institucioneve të pavarura, javën tjetër vendoset për shkarkimin e bordit të RTK-së
Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që në javën e ardhshme të mbahet seanca për shkarkimin e bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Lajmin e ka bërë me dije në një konferencë për medie shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka thënë se ky vendim i Kryesisë së Kuvendit është goditje ndaj mediumit publik. Në këtë kontekst, Tahiri, ka thënë se shkarkimin e Bordit të RTK-së do ta kundërshtojnë edhe në seancën e Kuvendit.
“Seancën e radhës që mbahet javën që vjen kjo mazhorancë ka vendosur t’i degradojë institucionet e pavarura. Pjesë e kësaj seancë do të jetë shkarkimi i Bordit të RTK-së”.
“Kuvendi është shndërruar në institucion që u shërben interesave të ngushta të këtij pushteti të udhëhequr nga Albin Kurti”.
“Ne e kemi kundërshtuar sot këtë në Kryesi do ta kundërshtojmë edhe në Kuvend. Nuk po shohim agjendë zhvillimore e rimëkëmbje ekonomike, por vetëm risistemim të fuqishëm të aktivistëve dhe të familjarëve të tyre”, ka thënë Tahiri.



