Tahiri: Vetëvendosje po abuzon me mandatet
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, po kundërshton pretendimin e Lëvizjes Vetëvendosje!, se institucionet e sundimit të ligjit janë përgjegjëse për mos liberalizimin e vizave.
Ai thotë se “është e pa pranueshme që kundërshtarët më të mëdhenj të lëvizjes së lirë përmes konferencave për shtyp të glorifikojnë qëndrimet e tyre si alternativë, përkundër faktit se në përditshmëri refuzojnë të kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës”.
“Për informimin korrekt të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju rikujtojmë se për 14 muaj me radhë janë ndërmarrë reforma të thella në drejtësi, përfshirë transformimin e politikës penale në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit si dhe luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, fuqizimin e gjyqësorit, të drejtave pronësore, kodifikimit të së drejtës civile si dhe përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane. Këto reforma kanë ndikuar drejtpërdrejtë në vlerësimin pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve si dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.