Targat RSK, si muzikë zhurmuese e politikave viktimizuese të Beogradit!

07 nëntor 2022 | 11:51

Politika aktuale e Beogradit, në njërën anë mban qëndrim të rezervuar ndaj politikave pushtuese të Kremlinit, kurse në anën tjetër i shfrytëzon dhe i keqpërdor të gjitha tolerimet e Brukselit ndaj këtyre qëndrimeve proruse. Për rrjedhojë, edhe raportet e veta me Kosovën, Beogradi i ndërton mbi primesat e këtyre taktizimeve, duke e shitur shtrenjt tek Perendimi politikën e saj të uljes në dy karrige – para dite me Brukselin, pas dite me Moskën

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Në veri të Kosovës po luhet një spektakël i përgatitur keq nga Beogradi. Vuçiqit i duhen këto tollovi për të kamufluar dështimet në ekonomi dhe zhvillim dhe për arsyetuar qëndrimin e tij politik ndaj Kosovës, duke ia mohuar kësaj të fundit funksionalitetin shtetëror. Karta e fundit e Beogradit është instrumentalizimi, e jo përfaqësimi i interesave të serbëve lokal përmes Listës Serbe. Kjo e fundit është zgjatim i politikave shtetërore të Serbisë kundrejt Kosovës, prandaj në protestën e fundit të së dielës kishte më tepër aktivist të këtij grupacioni politik, e më pak përfaqësues të komuniteti serb nga mbarë Kosova.
Një vëzhgues i huaj që ndjek zhvillimet e fundit në Kosovë, do të duhej paraprakisht të mbledhë të dhëna nga terreni për të pasur një pasqyrë më të plotë mbi dritëhijet e realitetit në të cilin jetojnë serbët lokalë të Kosovës. Ky vëzhgues do të duhej ta dijë se serbët lokal nuk marrin vendime autonome, pasi që Beogradi luan rolin e megafonit të prishur, i cili aktivizohet jo atëherë kur kanë nevojë këta serbë, por kur ka nevojë Vuçiqi të paraqitet para botës si “viktimë e vendimeve të njëanshme e arbitrare të Prishtinës”.
Refuzimi i targave RKS është pjesë e strategjisë së Beogradit për të tërhequr më shumë vëmendje ndërkombëtare, por edhe një pretekst më shumë për të përshkallëzuar mosbindjen qytetare të serbëve të Kosovës ndaj institucioneve qendrore në Prishtinë. Pjesë e kësaj strategjie është edhe shou mediatik i disa zyrtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilët i dorëzuan vetëm uniformrat, por jo edhe armët, me çka dëshmuan se aksioni i tyre më tepër ishte simbolik se sa përmbajtëror.
Serbia aktualisht udhëhiqet nga një lidership i cili ideologjikisht e politikisht është formuar në kohën e krizave e konflikteve të viteve nëntëdhjetë në ish-Jugosllavi, të cilat i ka nxitur vet. Të gjithë ata që kërkojnë nga ky lidership sjellje të arsyeshme e racionale, ose nuk e njohin gjenezën e hasmërive ndëretnike në këtë pjesë të Ballkanit, ose duan të mbyllin njërin sy dhe të tolerojnë çdo aksion politik që në thelb e ka kaosin dhe mosmarrëveshjen.
Politika aktuale e Beogradit, në njërën anë mban qëndrim të rezervuar ndaj politikave pushtuese të Kremlinit në Ukrainë, kurse në anën tjetër i shfrytëzon dhe i keqpërdor të gjitha tolerimet e Brukselit ndaj këtyre qëndrimeve proruse. Për rrjedhojë, edhe raportet e veta me Kosovën, Beogradi i ndërton mbi primesat e këtyre taktizimeve, duke e shitur shtrenjt tek Perendimi politikën e saj të uljes në dy karrige – para dite me Brukselin, pas dite me Moskën.
Shteti i Kosovës është krijuar kundër vullnetit dhe dëshirës së Serbisë, dhe përderisa të jetë kështu, çdo lëvizje që bën Qeveria e Kosovës e që nuk i konvenon politikës së Beogradit, a priori shpallet e dëmshme për interest e serbëve. Mirëpo deri më tani nuk është bërë një hulumtim profesional e i pavarur i opinionit publik, i cili do të përgjigjej në disa pyetje:
Sa i dëmtojnë realisht interesat e serbëve lokal, vendimet e Qeverisë së Kosovës?
Pse serbët lokal të Kosovës nuk kanë një organizim politik demokratik autonom, që është jashtë ndikimit direkt të Beogradit?
Likuidimi i Oliver Ivanoviqit ( i dënuar me 9 vite burg për krime lufte në Kosovë) a ishte një mesazh i Beogradit për serbët e Kosovës që të heqin dorë nga politikat e tyre autonome?
A ka ndokund në botë standarde të tilla të dyfishta ku të drejtat e pakicës serbe trajtohen si çështje të shenjta?

Vetëm pasi të shterrohen përgjigjet në këto pyetje, mund ta flasim për një realitet i cili përputhet plotësisht me situatën në terren. Çdo realitet tjetër virtual që Beogradi mundohet ta projektojë në laboratorët e vet të manipulimit, është një përpjekje donkishoteske për të frenuar proceset europianizuese në këtë pjesë të Ballkanit. Zatën edhe qëllimi parësor i Serbisë është që ta paraqes si të falimentuar procesin eurointegrues për llogari të politikave të Kremlinit, sidomos tani kur ende duket larg epilogu u luftës pushtuese në Ukrainë. Sa më larg të mbahen reflektorët e BE-së nga rajoni, aq më mirë bëhet për megafonët zhurmues të Beogradit, të cilët tringëllimën e targave të automjeteve RKS e kanë shndërruar në farsë për të prodhuar viktimizim dhe asgjë tjetër.
Deri kur Brukseli dhe Washingtoni do ta dëgjojnë këtë kakofoni serbe?!

Prishtinë, 7 nëntor 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri është shprehur i kënaqur me…