Të freskohet klasa politike në Kosovë

14 tetor 2018 | 17:25

Shkruan: Shyqyri Haxha

Të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë duke përfshirë miqtë ndërkombëtarë, duhet ta dinë se në Kosovë asgjë nuk ndodh rastësisht pa ndërhyrje politike dhe asgjë nuk funksionon pa ndërhyrje politike.

Çdo institucion shtetëror edhe biznes privat me përmasa multimilionshe është nën kontroll të plotë të klasës politike. Politika është sot biznesi më profitabil në Kosovë.

Jo rastësisht sot është krijuar një “elitë” biznesore-politike që ka nën kontroll çdo institucion dhe pothuaj çdo biznes privat gjithashtu, natyrisht duke përfshirë këtu edhe mediumet kryesore të cilat janë në gjendje që me direktiva dhe strategji të financuesve të tyre të fabrikojnë afera dhe shpifje aq të paskrupullta për çdo individ dhe institucione që nuk u nënshtrohen diktateve dhe interesave grupore. Interesi grupor kurrë nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë interes kombëtar, kjo tashmë është dëshmuar nga dështimet në vazhdimësi të institucioneve shtetërore në Kosovë.

Sistemi i kapur i drejtësisë nga politika ka provuar të gjunjëzojë dhe shkatërrojë çdo individ apo institucion që nuk ka qenë në shërbim të këtyre grupeve të interesit.

Shpesh, këto grupe të interesit kanë arritur të njollosin kuadro dhe institucione në përmasa aq të paskrupullta sa që shpesh edhe njerëz dhe familje me kredibilitet kombëtar dhe profesional, duke përfshirë edhe miqtë ndërkombëtarë, kanë rënë pre e këtyre grupeve dhe kanë filluar t’i besojnë institucionit të kapur të drejtësisë që kanë qenë dhe janë komplet në funksion të një grupi politik të interesit…

CV-të e shumë kuadrove të mirëfillta si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë profesional janë dëmtuar pikërisht nga këto grupe vetëm e vetëm që të krijojnë hapësirë për instalimin e një strukture të tyre servilësh, shërbëtorësh e vartësish me bakground të dyshimtë kombëtar dhe profesional.

Ka dyshime se një kapje dhe instalim i tillë është bërë me strategji të përpiluar në bashkëpunim me faktorë të jashtëm që të degradojnë funksionalizimin e shtetësisë së Kosovës.

Sot, Kosova është në një gjendje të një krize dhe degradimi institucional, pothuajse në të gjitha nivelet shtetërore. Rinia, shtresa më vitale e ndërtimit të shtetit, personel mjekësor, ekspertë dhe shkencëtarë pothuajse çdo ditë largohen nga Kosova, nuk ka më njohje, dora e shtetit nuk është e shtrirë në të gjithë territorin e saj, etj.

Nëse vazhdohet me këtë trend të degradimit institucional, Kosova do të bëhet sikur disa vende të Azisë dhe Afrikës ku pesë apo gjashtë familje mega të pasura kontrollojnë shtetin… Dashtë Zoti që në Kosovë të ndodhë një ‘freskim’ i klasës politike që nuk i shërben askujt, vetëm shtetndërtimit të Kosovës dhe askujt tjetër….

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Prishtinës e ka humbur edhe ndeshjen e dytë…