Të hyrat e ATK-së shënuan rritje për 19. 5 milionë euro

19 korrik 2019 | 13:23

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka mbajtur të premten konferencë për medie, në të cilën ka paraqitur të arriturat dhe aktivitetet e këtij institucioni për periudhën janar – qershor për vitin 2019.

Në këtë konferencë i pranishëm ishte dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Drejtori ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se institucioni që ai drejton ka arritur që të inkasojë 19.5 milionë euro më shumë se periudha paraprake, apo shprehur në përqindje 8.9 për qind më shumë. “Në periudhën janar – qershor të vitit 2019 janë grumbulluar 239.5 milionë euro nga të hyrat nga tatimet, kurse nga kontributet pensionale 85.5 milionë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 219.9 milionë euro nga të hyrat nga tatimet, kurse nga kontributet pensionale 83.9 milionë euro”, ka deklaruar Muretzaj, duke shtuar se kjo rritje ka ardhur në saje të masave të mbledhjes së borxheve dhe rritjes së aktiviteteve ndaj evazionit fiskal.

“Një ndër elementet kyçe që ka ndikuar në rritjen e të hyrave është pjesa e mbledhjes së borxheve që kemi një performancë të rritur rreth 27 për qind më tepër sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar, pastaj janë dhe aktivitetet e tjera shtesë në drejtim të identifikimit të evazionit fiskal”, ka deklaruar Murtezaj, raporton “Epoka e re”.

Ai ka theksuar se janë 44.9 milionë euro borxh i mbledhur. “Nga Mbledhja e ndëshkimeve janë 4 985 raste të trajtuara. Borxhi i trajtuar është 3.8 milionë euro nga të cilat janë inkasuar 1.5 milion euro. Gjatë këtij gjashtëmujori janë identifikuar 81 aktivitete për shmangie nga tatimi, ndërkaq 23 raste janë të hapura nën dyshim të shmangies tatimore. Janë realizuar 51 intervista me të dyshuar dhe dëshmitarë. Kanë qenë 92 informata për institucionet e zbatimit të ligjit, pra janë 4.58 milionë euro nga vlera e shmangies tatimore pa ndëshkime dhe interesa”, u është shprehur Murtezaj.

Në këtë konferencë, Murtezaj ka kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, që stafi i ATK-së të largohet nga shërbimi civil, pasi sipas tij, ligji aktual po krijon vështirësi dhe do të trajtohen njëlloj sikur Dogana dhe Policia.

Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka inkurajuar ATK-në që të jetë në kuadër të linjave dhe të vazhdojë me luftimin e informalitetit.

Ai ka vlerësuar punën e stafit të ATK-së, duke thënë se rritja e të hyrave për këtë periudhë gjashtëmujore është falë angazhimit maksimal të ATK-së.

“Është për t’u vlerësuar rritja e të hyrave. Duhet theksuar se rritja ka ardhur jo për shkak të ndonjë norme të re tatimore, por është dyfishi i rritjes ekonomike si rezultat i rritjes së performancës së ATK-së dhe disiplinimit të bizneseve për të paguar. Si Ministri e Financave do të jemi gjithmonë në përkrahje të ATK-së. Fokusi i yni do të jetë luftimi i informalitetit. Dhe në këtë drejtim ka inkurajim sepse kemi zvogëlim të stokut të borxhit dhe fillim të procesit të konfiskimit. Të vazhdojmë kështu, sepse nuk ka mundësi një tatimpagues të mbledh tatim nga konsumatori dhe të mos i paguaj shtetit. Duhet të ketë trajtim të barabartë të tatimpaguesve, sepse nuk mundet dikush të paguajë taksë e dikush jo. Pra, ju inkurajojë ta zbatoni ligjin drejt dhe të trajtohen gjithë të tatimpaguesit drejt”, ka thënë Hamza.

Ai ka pohuar se ruajtja e stabiliteti makrofiskal është detyrim dhe prioritet i prioriteteve dhe se borxhi publik është vetëm 18 për qind e GDP-së.

“Detyrimisht jemi të detyruar të qëndrojmë në kuadër të stabilitetit makrofiskal. Nëse shteti humb stabilitetin makrofiskal atëherë s’ka prioritete të tjera. Prandaj, stabiliteti makrofiskal është prioritet i prioriteteve. Kosova ka pozitë të mirë makrofiskale, kurse trendi i të hyrave është në përputhje me planifikimet që do të na mundësojë që deficiti të jetë më i vogël se ai i planifikuar. Ne nuk kemi vonesa në asnjë pagesë, pra as për pensione, as për projekte kapitale dhe as për çështje sociale. I inkurajojë të gjitha organizatat buxhetore t’i kryesojnë obligimet e tyre me kohë. Organizatat buxhetore duhet ta dinamizojnë ekzekutimin te projektet kapitale. Borxhi publik vazhdon të jetë në nivel të moderuar, që është 18 për qind  dhe nuk kemi pasur ngritje të shpejtë të borxhit publik”, ka thënë Hamza.

 

/Epoka e re/ Albulena MAVRAJ

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Largimi i Arjen Robbenit dhe Franck Riberys ka bërë që…