
Të rinjtë në fokus të takimit në mes të kryetarëve të Mitrovicës dhe Tiranës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, bashkë me delegacionin nga Komuna e Mitrovicës u prit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Hamza, pasi ka falënderuar për mikpritje homologun e tij, ka thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë, në kryeqytetin i cili falë punës së Veliajt është shndërruar në një model edhe për kryeqendrat e mëdha rajonale dhe evropiane.
Në anën tjetër Veliaj ka shprehur mirënjohjen dhe urimet më të mira për kryetarin Hamza, dhe u shpreh jashtëzakonisht i lumtur që tashmë edhe Mitrovica është pjesë e familjes së madhe të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.
Ndër të tjera është diskutuar për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për të rinjtë e Tiranës dhe Mitrovicës në fushën e inovacionit, artit, kulturës si dhe rritjen e bashkëpunimit në mes të organizatave rinore të të dy qyteteve, pasi që Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022, të rinjtë e Mitrovicës do të realizojnë projekte konkrete bashkë me të rinjtë e Tiranës.
Pas shkëmbimit të përvojave dhe ideve, të dy kryetarët u pajtuan për bashkëpunim institucional në fushën e digjitalizimit, inovacionit, ekonomisë, turizmit, administratës dhe arsimit, si dhe në zhvillimin e agro-turizimit dhe turizmit rajonal.