Tenderi i anuluar nga Prishtina e Ramës, reagon ish-nënkryetarja Sahatçiu

25 shkurt 2024 | 13:34

Ish-nënkryetarja e Prishtinës e shkarkuar nga kryetari Përparim Rama, Donjeta Sahatçiu ka reaguar pas raportimit për anulimin e tenderit të dyshimtë për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore në kryeqytet.

Pak ditë para se të shkarkohej nga pozita me vendim të Ramës, Sahatçiu pati njoftuar se nuk ka pranuar ta nënshkroi dokumentin që ky tender të shkonte përpara. Ky veprim i saj, pasoi me shkarkimin e saj.

Dy ditë pas raportimit lidhur me tenderin në fjalë, Sahatçiu ka thënë se realiteti u shpërfaq.

“Në një mënyrë apo tjetër, realiteti shpërfaqet.. Këto 24h kam pranuar dhjetra mesazhe e thirrje në lidhje me artikullin analizë të Insajderit mbi anulimin e tenderit për digjitalizim në arsim, për të cilin pata deklaruar se nuk kam pranuar ta nënshkruaj të shpallet për arsyet e dhëna, e më pas erdhi edhe shkarkimi im”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Ajo ka thënë se është lajm i mirë anulimi i tenderit sepse “nuk do të duhej të shpallej ndonjëherë në atë mënyrë”.

“Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet”.

“Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithëpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë”, ka shkruar ajo.

Të premten, Komuna e Prishtinës e ka anuluar tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore.

Ky tender kishte vlerën mbi 300 mijë euro. Për anulimin e tenderit në fjalë, komuna e drejtuar nga Përparim Rama, ka thënë se arsyeja ishte që kompanitë “nuk ofruan materiale mësimore konform kërkesave të tenderit”.

“Komuna e Prishtinës rekomandon anulimi e aktiviteti : Gjate vlerësimit të ofertave kemi pa që ofertuesit nuk kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave te kurrikules se re të Republikës së Kosovës andaj si anëtar i komisionit vlerësuar rekomandoj që të anulohet ky aktivitet i tanishëm dhe të rishpallet prap me kërkesat me specifike”, është thënë në njoftimin e nënshkruar nga Visar Shehu, shef i tenderëve në Prishtinë.

Për këtë tender, siç pati raportuar “Insajderi”, në garë ishin tetë kompani dhe shtatë nga to kanë ofertuar në të dyja lotet, siç është ndarë tenderi kurse vetëm një kompani ka ofertuar vetëm në një pjesë të tij.

Vërejtje për këtë tender ishin dhënë edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditë më parë, Bayern Munich ka njoftuar se në fund…