Tetë të arrestuar në veri të dyshuar për shpërtimin në Ibër-Lepenc
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas aktit terrorist të së premtes, kur me eksploziv u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit, policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar në veri të vendit.
Ai thotë se sulmi i fundit ndaj infrastrukturës jetike është më i rëndi në Kosovë që nga paslufta.
Sveçla thotë se institucionet tashmë kanë bashkërenduar aktivitetet për të zbardhur ngjarjen.
“Pas hetimeve intensive sot në orët e mëngjesit janë organizuar kontrolle dhe janë arrestuar 8 persona të dyshuar për përfshirje në këto raste. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.
Ndryshe, në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.