Tetë zyrtarë policorë nderohen me Medalje për Shpëtim Jete

25 maj 2026 | 14:43

Në shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetës njerëzore, duke reflektuar vlera të larta humane, përgjegjësi institucionale dhe gatishmëri për t’u vënë në shërbim të qytetarëve në çdo rrethanë, pas përfundimit të procedurave të parapara sipas udhëzimit administrativ dhe vlerësimit nga anëtarët e komisionit vlerësues, me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm të PK-së, kolonel Gazmend Hoxha, bazuar në Ligjin e Policisë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dekoruar tetë zyrtarë policorë me Medalje për Shpëtim Jete.

Ministri Sveçla, gjatë fjalimit të tij ka theksuar se është tejet i lumtur për të nderuar sot punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës.

“Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane, të cilat ndërveprojnë me detyrën dhe përgjegjësinë zyrtare”, ka thënë ai, duke shtuar se akti heroik i zyrtarëve tanë policorë është dëshmi e qartë e përkushtimit të palëkundur që Policia e Kosovës ka ndaj qytetarëve të Republikës sonë. “Në momente kritike, kur sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes, ju veproni me guxim, profesionalizëm dhe humanizëm të jashtëzakonshëm. Kjo është arsyeja që Policia e Kosovës vazhdon të mbetet ndër institucionet më të besuara në vend”.

Ndërsa drejtori Hoxha vlerësoi lart veprimin e zyrtarëve policorë, si një akt i jashtëzakonshëm guximi, një nivel i lartë profesionalizmi dhe mbi të gjitha një humanizëm i pastër i tetë zyrtarëve policorë, duke theksuar që ata në momente kritike, nuk hezituan në asnjë sekondë, por me veprimet e tyre të matura dhe vetëmohuese arritën të shpëtojnë jetë njerëzish.

“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por ajo bart mbi vete një peshë të madhe të përgjegjësisë, një mision human dhe një gatishmëri të palëkundur për të shërbyer në çdo rrethanë ndaj qytetarëve dhe vendit, pavarësisht rreziqeve që mund të kanosen”, ka theksoi drejtori Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spanja ka publikuar listën me 26 futbollistë për Kupën e…