Thaçi ia dërgon letrën e radhës Mustafës, kërkon emrin e mandatarit

29 prill 2020 | 13:31

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që të propozojnë mandatarin potencial për formimin e qeverisë, i cili duhet të sigurojë se do ta ketë numrin e duhur të votave në Kuvendin e Kosovës dhe të zotohet se do të krijojë qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me “Kriteret Mbizotëruese”.

Sipas kësaj letre të presidentit Thaçi, të cilën e ka parë “IO”, është thënë se pas konsultimit publik me të gjithë liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend (22 prill 2020), liderët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përveç përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, u deklaruan njëzëri që janë për një Qeveri të re dhe që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

“Në këtë takim, po ashtu, para të pranishmëve i kam prezantuar edhe kriteret mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, me qëllim që të shmangen zgjedhjet, duke gjetur rrugë procedurale për krijimin e qeverisë”.

“Në përputhje me mandatin tim kushtetues dhe në respektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme, ruajtjes së stabilitetit të vendit dhe në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përputhje me ‘Kriteret Mbizotëruese’ për formimin e qeverisë së re, luteni edhe një herë, që pa humbur kohë, të propozoni mandatarin potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do ta ketë numrin e duhur të votave në Kuvendin e Kosovës dhe të zotohet se do të krijojë qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse”, është thënë në letrën e presidentit Thaçi dërguar kryetarit të LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…