Thaçi për shfuqizimin e Speciales: Vendimi i Kuvendit është obligim për mua

25 dhjetor 2017 | 21:49

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë qëndrimin e tij në lidhje me iniciativën e disa deputetëve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Thaçi ka thënë se çdo iniciativë, sikur ajo e 43 deputetëve të kalonte të gjitha procedurat dhe të votohej në parlament, ai nuk do ta bllokonte.

“Roli i presidentit është respektimi i Kushtetutës. Jo vetëm iniciativa të tilla, por secila që kalon procedurat në Kuvend dhe vjen në zyrën time, atëherë natyrisht, vendimi i Kuvendit është obligativ. Nuk mendoj që vjen deri te dorëheqja pasi aty nuk jam për të bllokuar por për të kryer punë. Nuk dalë kundër vullnetit të shumicës së Kuvendit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se iniciativat e deputetëve duhet të konsiderohen ligjore.

“Presidenti mban pozicionin e vet kushtetues dhe ligjor. Iniciativa e deputetëve duhet konsideruar si ligjore. Duhet shikuar gjërat me urtësi dhe mençuri. Asnjë nga ata njerëz që e kanë nënshkruar ose jo nuk mund të etiketohen. Proceset që zhvillojnë dhe kultivojnë demokraci nuk duhet frikësuar. Nuk ka iniciativë që nuk menaxhohet”, ka thënë ai më tej.

Thaçi po ashtu ka thënë se iniciativa e deputetëve është keqinterpretuar pak.

“Iniciativa e deputetëve, nuk kërkon shfuqizimin, por afrimin e një alternative, jo minim të procesit. Pasi që kam dëgjuar për iniciativën e deputetëve kam qëndruar në zyrë, jam takuar edhe me ambasadorët të cilët kanë kërkuar sqarime. Atyre ua kam bërë të ditur që sa i përket iniciativave kushtetuese dhe ligjore presidenti nuk mund të dalë kundër tyre. Kam treguar shumë qartë që unë nuk mund të frenoj vullnetin e deputetëve. Pushtetet janë të ndara, nuk mund të interferojmë as një drejtësi, në parlament apo në ekzekutiv. Çdo opinion i imi do të jetë kushtetues dhe ligjor e jo i ndikuar”, ka thënë Thaçi ndër të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur se duhet bërë…