Thirrja e seancës për formimin e qeverisë, Mustafa: Jemi në pritje të aktgjykimit të plotë të Kushtetueses

30 maj 2020 | 14:01

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë me dije se janë duke e pritur aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi në lidhje për mandatarin për formimin e qeverisë, në mënyrë që ta aktivizojnë kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e ekzekutivit, i cili pritet të drejtohet nga Avdullah Hoti.

Mustafa është shprehur i bindur se LDK-ja dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve partiake, fetare apo etnike.

“Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, ShBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike. Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Po e presim aktgjykimin e kompletuar të Gjykatës Kushtetuese, për ta aktivizuar kërkesën e deputetëve të koalicionit, në krye me LDK-në, për thirrjen e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re. Jo se nuk e kemi të qartë aktgjykimin, por se jemi të interesuar të respektojmë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha procedurat demokratike.

Që nga mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë, LDK është deklaruar e gatshme ta krijojë një shumicë parlamentare për një qeveri të re, me kusht që të shteren të gjitha procedurat kushtetuese. Si parti e dytë, me një deputet më pak se LV, ia kemi propozuar për dekretim presidentit të vendit kandidatin tonë, z. Hoti, të bindur se e gjithë procedura ka qenë kushtetuese dhe se zgjedhja e një qeverie të re është në interes të vendit.

Jam lumtur që Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim të argumentuar mbi frymën dhe shkronjat e Kushtetutës tonë por edhe të zgjidhjeve komparative kushtetuese nga vendet e tjera, konfirmoi kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit, rrjedhimisht se veprimi i LDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së dhe subjekteve joshumicë parlamentare ishte në harmoni me hapësirën që ofron Kushtetuta. Pra, me hapësirën demokratike të një vendi me demokraci parlamentare.

Jam i bindur se me këtë përgjegjësi, LDK dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve të tij partiake, fetare apo përkatësisë etnike.

Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, ShBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike.

Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik.

Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të ShBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE. Këto synime legjitime nuk duhet të jenë vetëm partiake, por të të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës.

Kjo më shtyn të besoj se qeveria e ardhshme duhet të përkrahet gjerësisht dhe se kësaj qeverie duhet ti kërkohet në mënyrë të vazhdueshme përgjegjësi. Kjo duhet të jetë qeveri që kryen punë konkrete, që u ik veprimeve e kauzave populliste. Qeveri që nuk shpall dhe nuk krijon armiq, por që ndërton ura të brendshme dhe të jashtme bashkëpunimi. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarët e Kosovës kanë shënuar rritje të kënaqshmërisë ndaj punës…