Topalli: Ballkani pa problem e siguron mbijetesën

14 mars 2019 | 20:40

Aktualisht skuadra e Ballkanit është në zonën e barazhit, por sulmuesi Jetmir Topalli beson se kjo skuadër nuk do të bjerë nga IPKO Superliga.

KF Ballkani aktualisht pozicionohet në vendin e nëntë në renditjen tabelore të IPKO Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra që përfundon kampionatin në këtë pozicion i duhet t’i luajë ndeshjet e barazhit për ta siguruar mbetjen në elitë, por sulmuesi i skuadrës nga Suhareka, Jetmir Topalli, për “Epokën e re” ka thënë se Ballkani nuk do të bjerë nga elita.

Sulmuesi perspektiv është i mendimit se rezultatet, sidomos në sezonin pranveror, kanë mundur të jenë edhe më të mira, pasi në këtë klub ka shumë lojtarë me përvojë. “Duke pasur parasysh se kemi lojtarë me përvojë dhe të dëshmuar në ligën tonë, nuk janë ato rezultate që ne i kërkuam dhe që i merituam, por nganjëherë edhe fati nuk ishte në anën tonë dhe ky është realiteti. Këtë vit Superliga është bërë shumë interesante dhe deri në fund të sezonit nuk dihet se çfarë do të ndodhë, por besoj shumë se me punën që kemi bërë dhe do të bëjmë edhe në ndeshjet e ardhshme do të arrijmë të mbijetojmë pa ndonjë problem”, ka thënë Topalli.

Fotografia e Jetmir Topalli

Sulmuesi në fjalë është autor i katër golave në këtë edicion, kurse ka folur edhe për ndeshjen e radhës që Ballkani e zhvillon në fundjavë ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti”. “Dihet se ndeshja ndaj Llapit do të jetë shumë e vështirë duke pasur parasysh se është duke luftuar për titull dhe është ekip i përbërë mirë dhe ka lojtarë cilësorë, por ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe duam të paktën një pikë. Mungesa e vetme për ne në këtë ndeshje është Blend Baftiu, por ne të tjerët do ta japim maksimumin”, ka shtuar ai, raporton “Epoka e re”.

Skuadra e Ballkanit pozicionet në vendin e nëntë me 28 pikë, kurse nga 22 ndeshje ka regjistruar tetë fitore, katër barazime dhe dhjetë humbje.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rivaliteti në mes të Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit është…