Tottenhami mposhti Ajaxin, kualifikohet në finale

08 maj 2019 | 23:13

Tottenham ka përmbysur gjithçka në 30 minutat e fundit të takimit duke mposhtur Ajax 3-2 dhe si pasojë do të shkojë në finalen e madhe, aty ku e pret Liverpool.

Goli në sekondën e fundit nga Lucas Moura ka shuar ëndrrën e madhe të holandezëve për të luajtur në finalen e Champions League.

Të elektrizuar nga atmosfera fantastike, lojtarët e Ajax e nisin fuqishëm ndeshjen dhe gjejnë golin e avantazhit me De Ligt në minutën e 5’ të takimit.

Sfida mbetet e hapur, por Tottenham bën shumë gabime përpara portës kundërshtare, sidomos në pasimin e fundit.

Në minutën e 35’ erdhi goli i dytë i holandezëve me Ziyech. Sulmuesi vendas ka lëshuar një goditje të mrekullueshme nga brenda zonës duke mposhtur për të dytën herë portierin Lloris.

Pas pushimit, Tottenham luan me mentalitetin e duhur pasi nuk ka asgjë për të humbur.

Lucas Moura rihap gjithçka në minutën e 55’ të ndeshjes pas një aksioni model të Spurs.

Vetëm tre minuta më pas braziliani barazon rezultatin dhe një gol do t’i mjaftonte Tottenham të shkonte në finale.

Sfida mbetet e bukur dhe me aksione si nga njëri krah, ashtu edhe nga tjetri. Mundësitë për të shënuar janë më të pastra për vendasit, por fati nuk është me ta.

Megjithatë, në sekondat e fundit e minutës së pestë shtesë Tottenham ka shënuar golin e fitores dhe është pikërisht Lucas Moura ai që ka kompletuar tripletën e tij duke kaluar të tijtë në finalen e madhe.

Moura ka shënuar pesë gola në Champions League dhe të pestë kanë qenë në transfertë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një…