Tri cisterna nafte shpërthejnë në Ngushticën e Hormuzit, ranë në minat detare
Tri cisterna nafte janë përfshirë nga zjarri në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina detare, sipas një njoftimi të Marinës iraniane të publikuar nga mediat shtetërore.
Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve Reuters, njëra nga cisternat ka goditur një minë detare në pjesën lindore të ngushticës gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës, ndërsa dy të tjerat janë përfshirë në incidente të ngjashme më vonë gjatë ditës.
Marina e Gardës Revolucionare iraniane pretendon se dy cisternat e fundit po tentonin të kalonin nëpër një itinerar të ndaluar, kur goditën minat detare, shpërthyen dhe morën flakë.
Deri më tani nuk janë bërë të ditur emrat apo shtetet e origjinës së anijeve, ndërsa nuk ka informacione të konfirmuara për viktima apo persona të lënduar.
Reuters ka theksuar se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e autoriteteve iraniane.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës. Tensionet në këtë zonë janë shtuar pas kufizimeve të vendosura nga Irani ndaj anijeve që kalojnë nëpër këtë korridor strategjik.



