Trump: SHBA-ja mori nën kontroll anijen iraniane që shmangu bllokadën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se forcat amerikane kanë marrë nën kontroll të plotë një anije mallrash, e cila sipas tij tentoi të thyejë bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane, raportoi të dielën BBC-ja.
Në një postim në platformën Truth Social, Trumpi bëri të ditur se anija me emrin “Touska” u ndalua në Gjirin e Omanit, pasi nuk iu bind urdhrave të marinës amerikane për të ndaluar.
Sipas tij, ekuipazhi iranian refuzoi paralajmërimet, çka çoi në ndërhyrjen e forcave detare amerikane.
Ai shtoi se anija ishte nën sanksione nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për shkak të aktivitetit të mëparshëm të paligjshëm, ndërsa bëri të ditur se marinsat amerikanë po kontrollojnë ngarkesën në bord.
Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar incidentin.



