Udhëheqësi serb i Bosnjës thotë se plani i shkëputjes është shtyrë nga lufta në Ukrainë

07 qershor 2022 | 15:39

Lufta në Ukrainë i ka detyruar nacionalistët serbë të Bosnjës të shtyjnë planet për të tërhequr rajonin e tyre nga institucionet kombëtare të Bosnje e Hercegovinës, ka deklaruar udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik.

Dodiku gjatë një sesioni parlamentar të Republika Srpska u ka bërë thirrje për të siguruar mbështetje kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Në sesion është diskutuar për “informacionet mbi situatën ndërkombëtare politike dhe të sigurisë, dhe rolin e Republikës Srpska”.

Dodiku ka shkaktuar krizën më të keqe politike të Bosnje e Hercegovinë që nga fundi i luftës të viteve 1990, pasi ka deklaruar në fund të vitit të kaluar se Republika Srpska, entiteti etnik-serb, do të tërhiqej nga ushtria e përbashkët e vendit të Ballkanit Perëndimor, nga organi më i lartë gjyqësor dhe nga administrata tatimore.

Parlamenti i Republika Srpska në dhjetor ka votuar për të filluar punën për një mocion jodetyrues që synon të hapë rrugën për shkëputje nga institucionet kombëtare boshnjake.

Por, “kushtet e ndryshuara politike” të shkaktuara nga lufta në Ukrainë kishin shkaktuar një vonesë, ka thënë Dodiku, plani i të cilit mbështetet nga Moska.

Dodiku, anëtar serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka bërë vazhdimisht thirrje për shkëputjen e entitetit serb nga pjesa tjetër e Bosnjës, të cilën ai e quajti një “eksperiment nga komuniteti ndërkombëtar” dhe një “shtet i pamundur dhe i imponuar”.

Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se ndarja e administratës ushtarake, policore dhe tatimore të njësisë serbe nga qeveria qendrore e Bosnje e Hercegovinës do të binte ndesh me marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995 që i dhanë fund luftërave në Bosnje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësueset e Kosovës në basketboll gjatë muajve të verës do…