Ukshini: Koha për një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë

16 shkurt 2019 | 23:05

11 vjet më parë Kosova e shpalli pavarësinë e saj. Në këtë përvjetor, Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi një pritje me drejtues institucionesh,  diplomatë të akredituar në Tiranë, ish-presidentë, zyrtarë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës, përfaqësues të biznesit dhe personalitete të medias dhe kulturës.

Shefi i Misionit te Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, tha se ëndrra e shqiptarëve në Kosovë u arrit pas shumë sakrificash duke vlerësuar edhe rolin e Shqipërisë.

Ka ardhur koha për një marrëveshje historike, për të lënë prapa historinë e konflikteve dhe të luftërave, për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore të garantuar nga SHBA dhe BE, e cila rajonit do t’i garantonte qëndrueshmëri afatgjatë dhe europianizimin më të shpejtë, ndërsa Kosovës ulësen në Kombet e Bashkuara”.

Kështu theksoi mbrëmjen e djeshme i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, në ceremoninë e organizuar me rastin e 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, zëvendësministra, si dhe të ftuar nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

“Kosova angazhohet për fqinjësi konstruktive edhe me të gjitha vendet e tjera fqinje, sigurisht edhe me Serbinë, me të cilën kemi pasur një histori të vështirë, për njëqind vjet ishim si të huaj në atdheun tonë, ishim të shtypur”, tha Ukshini.

Ukshini u shpreh se “gjatë këtij viti edhe Kosova pret shumë se dhe qytetarët saj të bëhen pjesë e lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen të BE-së. Kosova, jo vetëm ka pritur tepër gjatë, por kaherë ka përmbushur të gjitha kriteret teknike të kërkuara nga Brukseli. Një vendim i tillë do ta afronte më shumë Kosovën me BE-në dhe do bënte më europiane. Sigurisht, kjo është edhe në interesin e vetë BE-së”.

Lidhur me për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, Ukshini tha se “vendet tona janë aleate të natyrshme strategjike. Ato kanë qëllime dhe aspirata të përbashkëta, për më tepër Kosova dhe Shqipëria kanë një gjuhë, një kulturë, një histori, si dhe një orientim strategjik afatgjatë euroatlantik”.

“Kosova dhe Shqipëria kanë ëndrra të përbashkëta. Po ashtu ne vlerësojmë angazhimin e të gjitha qeverive shqiptare për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, për integrimin e saj në sistemin ndërkombëtar”, tha Ukshini.

Duke folur për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Ukshini tha se “11 vjet më parë, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës vulosi të ardhmen e vendit, shpalli pavarësinë, e cila dy vite më pas mori konfirmimin e saj edhe përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”.

“Shtetësia e Kosovës nga viti në vit po konsolidohet në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar Në këtë kontekst duhet parë edhe miratimi në Parlamentin e Kosovës, për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ky vendim, pavarësisht ndonjë mëdyshje, e bënë më të afërt rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO”, tha Ukshini. /atsh/.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra banorë të Rezallës kanë zgjedhur të shtunën strukrurat drejtuese…