Ulpiana befason Gjilanin, Drita mposhti Drenicën

19 shtator 2021 | 18:25

Ulpiana e ka shijuar fitoren e parë në elitën e futbollit kosovar, duke e mposhtur 3:2 Gjilanin në një ndeshje dramatike, ndërkohë që Drita e ka rigjetur rrugën e fitores duke e mposhtur 2:0 Drenicën.

Janë mbyllur ndeshjet e javës së pestë në Superligë të dielën, Dritën që ka fituar në Skenderaj dhe me Ulpianën që e ka tronditur 3:2 Gjilanin e Ismet Munishit.

Trimror Selimi me një gol në minutën e 90+9 ia siguroi klubit nga Lipjani fitoren e parë në elitën e futbollit kosovar, në debutimin në Superligë.

Besar Musolli e kishte kaluar Gjilanin në epërsi në minutën e 48-të, pas një pjese të parë pa gola. Por Marclei Santos e barazoi rezultatin në 1:1 vetëm dy minuta më vonë, para se ta kalonte Ulpianën në epërsi për herë të parë në minutën e 69-të.

Fiton Hajdari e barazoi rezultatin në 2:2 për Gjilanin dhe kur u duk se skuadra e Munishit po i shpëtonte humbjes, Selimi tronditi duke shënuar në frymën e fundit.

Ndërkohë, në Skenderaj, Almir Ajzeraj dhe Hamdi  Nimani ia siguruar Dritës fitoren e tretë në pestë ndeshje këtë sezon, që i ndihmon skuadrës gjilanase ta vazhdojë ecurinë pa humbje.

Për Drenicën, e cila e ka nisur sezonin në mënyrë të përsosur, kjo ishte humbja e parë pas një barazimi dhe tri fitoreve radhazi.

Pas pesë javëve, renditjes në Superligë i prin Ballkani me 11 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e dytë.

Malisheva është e treta me 10 pikë, aq sa ka edhe Drenica një pozitë më poshtë. Gjilani dhe Feronikeli kanë nga gjashtë, ndërsa Prishtina pesë dhe Ulpiana katër. Dukagjini dhe Llapi janë të fundit me nga dy pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga PDK, Bedri Hamza ka…