Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ nderon me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ akademikun Rexhep Qosja

15 nëntor 2019 | 21:28

Akademiku dhe profesori i shquar, Rexhep Qosja u nderua të premten gjatë një ceremonie të zhvilluar në Durrës me titullin “Doctor Honoris Causa”, akorduar nga Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Prof. Dr. Rexhep Qosja u nderua me titullin e lartë me motivacionin: “Për kontribut të shquar e shumëdimensional në zhvillimin e kulturës, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare; si studiues i shquar i shkencave albanologjike; si themelues dhe drejtues i institucioneve, programeve të studimit e organeve shkencore; si studiues i letërsisë, në veçanti i letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare; si historian i letërsisë e kritik letrar; si shkrimtar, publicist e polemist; si një zë origjinal në trajtimin e problemeve të mëdha të kohës, bazuar vetëm në kriterin e së vërtetës; si veprimtar shoqëror e politik, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar; si shembulli më i mirë i akademikut, studiuesit, krijuesit e intelektualit; si Nder i Kombit”.

Në ceremoninë akademike të dhënies së titullit të nderit morën pjesë personalitete të arsimit dhe shkencës, studiues të gjuhës e letrave shqip, përfaqësive diplomatike, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski vlerësoi lart kontributet akademike të akademik Rexhep Qosjes.

Ajo u shpreh e nderuar që tashmë një figurë e tillë, e cila lidhet me shumë aspekte të zhvillimit në shkencave albanologjike, të arsimit tonë kombëtar dhe të kulturës shqiptare, është pjesë e familjes së UAMD-së.

Në fjalën e tij, akademik Rexhep Qosja u shpreh i ngazëllyer me vlerësimin.

“Faleminderit Senatit Akademik për titullin e nderit. Ky titull më gëzon sepse më jepet prej një universiteti që mban emrin e një prek artistëve më të lavdishëm shqiptarë e europianë, Aleksandër Moisiu. Ai ishte artist me sjellje të fisme në kohë të keqe e të mirë”, u shpreh ndër të tjera ai.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vogëlush në stadiumin “Fadil Vokrri” i ka befasuar futbollistët…