Universiteti ‘Isa Boletini’ bëhet me Qendër të Ekspertizës për industrinë e qumështit

28 mars 2019 | 11:08

Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, do të hapet Qendra e Ekspertizës, që ka për qëllim trajtimin e ujërave të shkarkuara nga industria e qumështit si dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve të qumështit.

Për këtë qëllim është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës (SHQK), FTU-së, Universitetit “Van Hall Larenstein” nga Holanda si dhe organizatës “YUNIKO”, të krijuar në Holandë, që janë partner të këtij projekti.

Dekani i FTU-së, Milaim Sadiku, ka thënë se ideja është që kjo Qendër e Ekspertizës të shërbej si një qendër rajonale edhe për shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

“Duke pasur parasysh zhvillimin e industrisë së qumështit dhe nevojën për trajtimin e ujërave të shkarkuara si dhe rritjen e cilësisë së qumështit, kjo qendër do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë sektor”, tha ai.

Sipas tij, objektivi i parë i Qendrës së Ekspertizës është që të lehtësojë ShQK-un për t’u bërë më e qëndrueshme dhe më konkurruese. “Fokusi do të jetë në sfidat lidhur me trajtimin e ujërave të zeza, përmirësimin e proceseve të prodhimit dhe efiçiencën e energjisë”, ka thënë Sadiku.

Ndërsa, si objektivë e dytë, sipas dekanit Sadiku, është që Qendra e Ekspertizës, të krijojë një ndërlidhje bashkëpunimi mes sektorit të qumështoreve të Kosovës dhe atyre evropiane nëpërmjet ndërlidhjes me organizatat nga shtetet BE-së.

Në këtë kontekst, ai përmend edhe pjesëmarrjen në projektet e BE-së dhe atyre vendore si dhe zhvillimin e ekspertizës dhe njohurive përmes shkëmbimeve me BE-në.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KEDS-i ka përfunduar dy projekte të mëdha në komunën e…