UP-ja shënon ngritjen më të madhe në Webometrics, renditet e 1471-ta në botë

29 janar 2019 | 12:03

Në përditësimin e fundit të publikuar nga ranglista prestigjioze e rangimit të universiteteve botërore, Webometrics, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar ngritjen më të madhe ndonjëherë, duke u ranguar në vendin e 1471-të në botë.

Në edicionin e janarit të këtij viti, Webometrics pasqyron ngritjen e UP-së për 1662 pozita më lartë, që nga viti 2018, kur UP-ja zinte vendin e 3133-të në botë në mesin e rreth 30.000 universiteteve të ranguara.

Bazuar në publikimin e Webometrics, UP-ja rangohet në vendin e 565-të në Evropë, ndërkaq del në vendin e tetë në rangimin e universiteteve në rajon, duke lënë prapa vetes universitetet e Nishit, Sarajevës, Shkupit, Tiranës, etj. UP-ja, sipas rezultateve të Webometrics, vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë në hapësirën shqipfolëse.

Për rektorin e UP-së, Marjan Dema, ngritja e UP-së paraqet lajmin më pozitiv për arsimin e lartë.
Sipas tij UP-ja po vazhdon fuqishëm ta përmirësojë rangimin botëror të saj.

Dema këtë sukses ia atribuon stafit akademik të UP-së, teksa për këtë arritje, përgëzon organet drejtuese dhe menaxhuese, stafin administrativ dhe studentët e UP-së.

“Shumë profesorë tanë kanë punuar jashtëzakonisht shumë që t’i kontribuojnë hulumtimit në disiplinat e tyre akademike, gjë e cila shpërfaq aftësitë dhe dedikimin e tyre për Universitetin, mund i cili rezultoi me një sukses të tillë për UP-në dhe vendin tonë”, ka thënë Dema.

Progresi i UP-së në këtë drejtim është edhe si rezultat i punës së Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, e themeluar në vitin 2018, e cila ka si objektiv mbështetjen e kërkimit dhe financimin e projekteve të stafit akademik. UP-ja në këtë drejtim është përkrahur edhe nga partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Webometrics është një prej rangimeve më të rëndësishme botërore, i zhvilluar nën patronatin e Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas – CSIS), me qendër në Madrid, njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.

Cybermetrics është një ranglistë jofitimprurëse e cila “nuk pranon pagesa për përfshirje në rangim, as edhe oferta për reklamim të ndonjë universiteti”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim biznesmenin…