Uruguai deklasoi Rusinë. Arabia Saudite mposhti Egjiptin

25 qershor 2018 | 18:02

Tetë gola në dy ndeshje dhe Rusia organizatore e këtij Botërori u duk se do të ishte një pretendente serioze në mos për triumfin final, të paktën për të ecur disa faza përpara.

Por, loja e bukur dhe golat e shumtë të dy takimeve të para, ato ndaj Arabisë Saudite dhe Egjiptit, u sfumuan shumë shpejt kur përpara rusëve doli një tjetër ekip me peshë dhe pretendent gjithashtu për të kaluar grupin.

Sfida mes Uruguait dhe Rusisë nuk kishte presionin e kualifikimit, pasi të dyja këto skuadra e kishin prerë biletën për në fazën e 1/8-ave që pas ndeshjeve të dyta në grup, por këtë herë luanin për të përcaktuar se kush do të ishte fituesi i grupit.

Eksperienca e uruguaianëve bëri diferencën dhe golat e Suarezit e Cavanit, shoqëruar nga një autogol i Cheryshev, bënë që amerikano-latinët të triumfonin pastër, 3-0 ndaj rusëve, që luajtën më shumë sesa një pjesë loje në inferioritet numerik. Një humbje kjo që ngre menjëherë pikëpyetjet mbi të ardhmen e Rusisë në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, teksa tashmë dihet se Uruguai do të presë të dytën e grupit B, ndërsa Rusia do të ndeshet me të parën e grupit B. Në pritje të përmbylljes së grupit B, me ndeshjet e mbrëmjes, Spanja mund të ndeshet me organizatorët rusë, ndërsa Uruguai mund të presë kampionët e Evropës në fuqi, Portugalinë e Cristiano Ronaldos.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e prestigjit me shije lamtumire, mes Arabisë dhe Egjiptit përfundoi me fitoren e mbretërisë arabe 2-1, me një gol të shënuar në minutat shtesë, edhe pse ishin “faraonët” që kaluan të parët në avantazh.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrjeti social ‘Whatsapp’ ka njoftuar në mënyrë të fshehtë një…