Utopia e Alldos Haksllit

06 dhjetor 2021 | 08:18

Lirak Karjagdiu

Pas Luftës së Parë Botërore janë dy tema që kanë mbizotë­ruar në letërsi: nga njëra anë, izolimi dhe vetmia dhe, nga ana tjetër, marrëdhëniet dhe raportet ndërnjerëzore brenda një sistemi të degraduar moral. Hakslli i trajton pikërisht këto tema në romanin “Një botë e re e virtytshme”. Në këtë roman ai e pasqyron dhe përshkruan një botë të dehumanizuar, e cila ishte kredhur në shpërdorimin dhe abuzimin e të arriturave shken­core me qëllim të krijimit të një realiteti dhe të një lumturie të rrejshme. Ndërkaq, me këso temash dhe motivesh janë marrë edhe të tjerë shkrimtarë anglezë si Dikensi, Shoi, Uellsi, Oruelli, etj.

Autori i këtij romani, Aldous Hakslli, lindi në vitin 1894 në një familje prestigjioze angleze me traditë të thellë letrare, shkencore dhe kulturore. Në të vërtetë, i ati i tij, Leonard Hakslli, ishte biri i Tomas Henri Haksllit, shkencëtarit, biolo­gut, ithtarit dhe mbrojtësit të teorisë së Darvinit. Kështu që, ai u rrit, u edukua dhe u formua në një familje të shquar inte­lektuale të shkencëtarëve, dijetarëve, shkrimtarëve dhe mësim­dhënësve. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa më pas shkollimin e vazhdoi në Itën dhe Kolegjin Balioill në Oksford. Në studime ai u shqua si njeri me dije dhe kulturë të gjerë. Ndërkaq, gjatë formimit të tij intelektual, profesional dhe akademik, Hakslli ia kishte dalë mbanë jo vetëm që të pajisej me kulturë të gjerë gjuhësore dhe letrare, por edhe me njohuri shkencore. Ndaj është pikërisht njësimi dhe pleksja e njohu­rive të gjëra nga letërsia dhe shkenca që ia bën atij të mundur për t’i shkruar dhe krijuar veprat e tij artistike-letrare në atë mënyrë që nuk i kishte shkruar asnjë shkrimtar tjetër më parë. Në moshën 16-vjeçare u sëmurë nga një sëmundje e syve, e cila për pak e la të verbër. Mirëpo, përkundër kësaj sëmun­djeje të rëndë, ai vazhdoi të punonte dhe të krijonte. Ai shkroi poezi, prozë, ese etj. Romanin e parë me titull “Kromi i verdhë” e shkroi në vitin 1921. Pas daljes në dritë të këtij romani ai botoi edhe një sërë veprash, ndër të cilat dallohen: “Çështje kundër çështjeve” (1928), “Bëje atë që ta ka ënda” (1929), “Djajtë e Loudonit” (1952), “Ishulli” (1962) etj. Një kohë ai udhëtoi nëpër vende të ndryshme të Evropës, me ç’rast vizitoi edhe Italinë dhe Francën. Gjatë viteve ‘20 të shekullit të shkuar ai kryesisht jetoi në Itali. Në vitin 1937 shpërngulet në ShBA, duke shpresuar se klima e favorshme e Kalifornisë do t’i bënte mirë për shërimin e sëmundjes së syve. Ndërsa në vitin 1961 iu dogj shtëpia, ndaj gjendja shën­detësore iu përkeqësua edhe më tepër dhe pothuajse e humbi krejtësisht të parët. Ai vdiq në Los Anxhelos më 22 nëntor të vitit 1963.

Në fillim të krijimtarisë së tij artistike letrare ai kishte shkruar disa ese dhe romane, ku e satirizonte dhe e qesëndiste shtresën e lartë angleze. Më pas, në fazat e mëvonshme të krijimtarisë së tij mjaft të begatë dhe të nduarduarshme u mor me tema më të thella filozofike dhe etike. Ndërkaq, në krijimtarinë e tij letrare-artistike në përgjithësi mbizotërojnë konfliktet e individit me shoqërinë, duke u fokusuar shpesh­herë në çështjen dhe problemin e afirmimit të individit në kontekstin e përgjegjësive të caktuara shoqërore. Gjatë krijim­tarisë së tij ai shquhet më tepër si prozator dhe romansier. Pleksja e një stili dhe dialogu brilant, me cinizmin dhe kritikën që e përdor ai kundër shoqërisë, ku janë rroposur vlerat e mirëfillta, ia bëri të mundur atij që të radhitet ndër shkrim­tarët më të spikatur të asaj periudhe. Ndërsa kulminacionin e krijimtarisë letrare-artistike tejet të pasur dhe të larmishme e arriti me romanin “Një botë e re e virtytshme” që u botua më 1932. Ky roman u shkrua pikërisht në fillim të shekullit, kur zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë kishte marrë hov dhe kur ishin krijuar mundësitë për një zhvillim më të shpejtë të shkencës. Njëherësh, në letërsi ky zhvillim i hovshëm dhe i shpejtë i shkencës kishte nxitur zhvillimin e romaneve fantastiko-shkencore, utopike dhe distopike apo të utopisë negative.

 Nga Republika e Platonit deri te Një botë e re e virtytshme

“Një botë e re e virtytshme” i takon zhanrit të letërsisë utopike apo distopike, që ndryshe quhet utopi pesimiste, e zymtë apo negative. Me sa dihet, utopia është një shoqëri e imagjinuar dhe ideale, ku njerëzit jetojnë të lirë e të barabartë, pa urrejtje, dhimbje, frikë, krime dhe pa të ligat dhe të këqijat e kësaj bote. Fjala utopi është përdorur nga Tomas Mori, i cili u bë i njohur me veprën e tij “Utopia” (1516). Por, me për­shkrimin e shoqërive ideale dhe utopike janë marrë shkrim­tarë, dijetarë dhe filozofë të ndryshëm edhe shumë më përpara. Kështu, filozofi antik grek Platoni, në veprën e tij “Republika”, merret me përshkrimin e shoqërisë ideale apo të ëndrrave. Mirëpo dihet se ekzistojnë dy lloj veprash që janë shkruar mbi shoqëritë utopike. Nga njëra anë ekzistojnë vepra ku shoqëria utopike përshkruhet si një shoqëri e vërtetë, ideale dhe e përkryer, nga ana tjetër në disa vepra të tjera satirizohet dhe ironizohet utopia me ç’rast këto shoqëri paraqiten si jodemo­kratike, johumane, diktatoriale, të katandisura në dhunë etj. Ndërkaq, gjatë viteve ’20 të shekullit shkuar, pak para se të dilte në dritë romani “Një botë e re e virtytshme”, u shkruan edhe një sërë veprash ku shpotiteshin dhe përqesheshin përmes një satire therëse, tmerret, lemeritë, rrëmuja dhe katrahurat e krijimit të shoqërive totalitare. Shoqëritë për të cilat bëhej fjalë dhe që përshkruheshin në këto vepra quheshin distopike, apo vende ku asgjë nuk ishte normale dhe në rregull dhe ku çdo gjë shkonte ters dhe mbrapsht.

Meqë Lufta e Parë Botërore kishte qenë tejet shkatërrimtare dhe e tmerrshme, ekzistonte një disponim, ambicie, vullnet dhe dëshirë për të krijuar një shoqëri utopike. Në romanin “Një botë e re e virtytshme” të Haksllit, që doli në dritë në vitin 1932, përshkruhet pikërisht krijimi i një shoqërie të tillë utopike dhe bashkëkohore, por që në esencë ishte shoqëri totalitare, ku him­nizohej, adhurohej, por edhe keqpërdorej dhe abuzohej shkenca. Në këtë roman autori bën një ekskursion në ardhmëri në mënyrë që t’i paralajmërojë bashkëkohësit për rreziqet me të cilat mund të ballafaqohen në të ardhmen nëse nuk bëjnë kujdes të mjaftueshëm dhe nuk janë vigjilentë ndaj tendencave për keqpërdorimin dhe abuzimin me të arriturat shkencore për qëllime të padenja, padrejta, pamoralshme dhe të mbrapshta politike. Në këtë vepër shkrimtari i përshkruan deformimet dhe shpërdorimet me të arriturat shkencore të cilat do të shkaktonin flijimin dhe sakrifikimin e vullnetit të lirë dhe personalitetit të njeriut, të cilat, për pasojë, do ta cenonin, kërcënonin, kanosnin dhe, madje, edhe shkatërronin plotësisht shoqërinë. Së këndejmi, ky roman paralajmëron për rreziqet që mund të vijnë nga keqpërdorimi i shkencave të natyrës, sidomos nga shpërdorimi i të arriturave shkencore në fushën e biologjisë dhe gjenetikës nga ana e qeverive dhe regjimeve diktatoriale dhe totalitare. Hakslli e kishte botuar romanin e tij në vitin 1932, para ngjarjeve, tmerreve dhe katrahurave të Luftës së Dytë Botërore. Veprën e tij e kishte shkruar për t’i alarmuar vendet perëndimore, nga rreziku i totalitarizmit, në kohën kur zhvillimi i teknologjisë, kishte ndikim të stërmadh në zhvillimin e jetës dhe marrëdhënieve shoqërore dhe politike në botën moderne dhe kur njerëzimi kishte shënuar një zhvillim të hovshëm dhe të paparë shkencor. Ndaj ai në romanin e tij shfaq dronë dhe shpreh shqetësimin dhe brengën e tij nga shpërdorimi i shkencës, e sidomos i shkencave të natyrës. Është e qartë se ai ka qenë nën ndikimin e këtyre fenomeneve, zhvillimeve dhe ngjarjeve të vrullshme të fillimit të shekullit XX. Bile ky ndikim ka qenë aq i shprehur dhe i theksuar te Hakslli saqë ai utopinë e tij (apo më mirë të themi distopinë) e quan epokë të fordizmit dhe koha apo vitet aty numërohen nga Zoti Ynë Fordi. Është interesant se autori në njëfarë mënyre i parashikoi të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet që e trandën botën pasi e botoi këtë vepër. Kështu, Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani pas botimit të romanit “Një botë e re e virtytshme”. Lufta e Dytë Botërore shpërtheu gjashtë vjet pas botimit të këtij romani. Ndërkaq, po kështu, bomba ato­mike u hodh trembëdhjetë vjet pas botimit të kësaj vepre pro­fetike, gjë që nxiti dhe shkaktoi Luftën e Ftohtë. Së këndejmi, mund të thuhet se romani i Haksllit vërtet ka paralaj­mëruar, anticipuar dhe profetizuar temat dhe çështjet kryesore që kanë dominuar në jetën dhe shoqërinë njerëzore jo vetëm gjatë pjesës së dytë të shekullit XX, por që vijojnë të mbizo­tërojnë edhe gjatë shekullit XXI.

 Abuzimi i shkencës

“Bota e re e virtytshme” është titull ironik që është marrë nga drama “Shtrëngata” e Shekspirit. Në fillim të romanit paraqitjet civilizimi që është shkatërruar nga një luftë e madhe. Më pas zhvillohet edhe një luftë tjetër, lufta nëntëvjeçare, e cila sjell epokën e Fordit, duke krijuar një shoqëri stabile nëpërmjet diktaturës. Në këtë shoqëri të re vitet numërohem nga Zoti i Botës së re, Fordi. Më saktësisht, ngjarjet në këtë roman zhvillohen në vitin 632 pas Fordit (që dmth. fillimi i epokës së Zotit të Botës së re). Shoqëria që përshkruhet në roman është e ndërtuar dhe e organizuar sipas një sistemi rigjid dhe strikt të ndarjes në kasta, klane dhe shtresa shoqë­rore. Këto shtresa përcaktohen dhe definohen në mënyrë të kontrolluar përmes manipulimit me shkenca natyrore, sidomos shkencat biologjike apo gjenetikën, duke krijuar përcaktuar dhe paracaktuar fatin e individëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë që në ngjizje, në embrion dhe në rini të hershme. Kastat apo klanet e kësaj shoqërie janë: Alfa, Beta, Gama, Delta dhe Ipsilon. Shtresa më e lartë Alfa kryen punë dhe detyra më superiore dhe pjesëtarët e kësaj shtrese janë të paracaktuar që të bëhen liderë, sundimtarë, intelektualë dhe mendimtarë të Botës së re. Në përgjithësi, të gjithë pjesëtarët e shoqërisë fillojnë dhe e bëjnë jetën e tyre si të pafuqishëm dhe të para­caktuar që të jenë mjete dhe vegla të verbra dhe të dëgjueshme të një qeverie botërore, që dirigjon dhe kontrollon çdo gjë. Ndërkaq, secila kastë apo shtresë tjetër në vijim është e des­tinuar dhe e obliguar që të kryejë punë më pak të rëndësishme dhe më pak impresive. Rendi dhe sundimi sigurohen përmes kontrollit të fëmijëve dhe me anë të qetësimit të të rriturve me një drogë qetësuese e quajtur “soma”. Pos kësaj, popullata kontrollohet dhe përcillet edhe përmes metodave të ndryshme shkencore. Fjala vjen, martesat janë të ndaluara, ndërsa fëmijët nuk lindin në mënyrë të zakonshme dhe të natyrshme, por në mënyrë artificiale në fabrikën e fekondimit artificial.

Në të vërtetë, romani nis me ligjëratën që e mban drejtori i Inkubatorit Qendror dhe të Qendrës së Përshtatjes në Londër, i cili u shpjegon studentëve të tij, në vitin 632 P.F. (Pas Fordit), arritjet madhështore të shoqërisë, në saje të përpje­kjeve të bashkësisë, komunitetit, identitetit dhe stabilitetit. Në Botën e re, artet dhe feja janë ndaluar dhe zhdukur. Lenina Kraun dhe Bernard Maks, punonjës të Inkubatorit, i kalojnë pushimet në Rezervatin e njerëzve barbarë në Nju-Meksiko, ku janë ruajtur njerëzit e dalë mode, të kohëve të kaluara. Atje e gjejnë Xhonin, birin e Lindës dhe drejtorit të Inkubatorit dhe e sjellin në Botën e re. I zbuluar si baba, drejtori i Inkubatorit detyrohet të japë dorëheqje. Njëherësh, edhe Linda vdes nga përdorimi i tepërt i drogës “soma”, një lloj droge që i bënë njerëzit harrestarë dhe kinse të lumtur, duke i bërë ata që ta pranojnë gjendjen e vështirë. Xhoni, duke besuar në Zot dhe në poezi, është bërë kuriozitet për turistët e Botës së re. Mirëpo, në një çast të mllefosjes dhe xhindosjes, ai e vret Leninën me të cilën dëshironte të kishte marrëdhënie intime dhe e var veten. Kështu, në “Botën e re të virtytshme” emo­cionet dhe ndjenjat njerëzore duket sheshazi se ose nuk mund të sendërtohen ose janë shkatërrimtare.

Kjo vepër është një rrëfim për shtetin e botës të shekullit VII pas Fordit, ku stabiliteti shoqëror mbështetet në sistemin shkencor të kastës. Qeniet njerëzore, duke filluar që nga inte­lektualët më të lartë e deri te punëtorët e rëndomtë fizikë, të krijuar nga inkubatorët dhe të edukuar në çerdhet e komu­nitetit, mësojnë metodikisht dhe nën presion pranojnë fatin e tyre shoqëror. Kështu, Xhon barbari në fillim fascinohet me “Botën e re të virtytshme”, por më në fund revoltohet dhe ka një konflikt me Mustafa Mondin, kontrollorin e Botës së re, me ç’rast dëshmon se liria individuale nuk mund të pajtohet me shoqërinë e dirigjuar, ku nuk ka liri individuale.

Midis lumturisë dhe të vërtetës

Temat e këtij romani kanë një lloj ngjashmërie me satirën e Sviftit, meqë autori i veprës Hakslli e paraqet njeriun e rëndomtë, i cili parapëlqen lirinë dhe jetën e lirë kundruall një mjedisi paraprakisht të përgatitur, ku mungonte liria dhe çdo gjë ishte e kontrolluar dhe e dirigjuar.

Ndërkaq, një nga temat kryesore të këtij romani është edhe shpërputhja, mospajtueshmëria apo diskrapanca midis lumturisë dhe të vërtetës. Në romanin “Një botë e re e virtytshme” ka shumë personazhe të cilët ç’nuk bëjnë vetëm e vetëm t’i shman-gen dhe ta evitojnë ndeshjen dhe ballafaqimin me realitetin dhe të vërtetën. Kjo për faktin se qeveria apo pushteti përdor­nin çdo mjet për ta mbajtur nën kontoll dhe mbikëqyrje popu­llatën, madje duke shkuar aq larg saqë e turbullonin, mash­tronin, mpinin dhe drogonin popullatën me një drogë që e quanin “soma”. Në të vërtetë, “soma” shërbente për shtrem­bërimin, maskimin dhe shpërfytyrimin e realitetit në të cilën jetonte shoqëria, duke e zbukuruar, hijeshuar dhe përshkruar gjendjen dhe realitetin përmes halucinacioneve dhe duke e paraqitur atë si të mirë, të begatshëm, të hareshëm, të bukur dhe të lumtur, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të shoqërisë. Është e qartë se në Botën e re lumturia kishte përparësi ndaj të vërtetës, ndaj drejtuesit e Botës së re të vërtetën nuk e honepsnin dot.

Sipas përfaqësuesve dhe qeverisë së Botës së re, lumturia arrihej përmes përmbushjes dhe plotësimit të dëshirave të qytetarëve për ushqim, seks, drogë, veshmbathje të mirë dhe kualitative dhe për gjëra të tjera të konsumit. Ndërkaq, e vërteta që zbulohej në mënyrë shkencore dhe empirike dhe të gjitha virtytet, sjelljet dhe dëshirat e njëmendta njerëzore apo humane si, dashuria, miqësia, sinqeriteti, besnikëria dhe vir­tytet e tjera të mirëfillta njerëzore ishin të ndaluara. Ato ose nuk duhej të ekzistonin ose duhej të kontrolloheshin nga qeveria e Botës së re. Ndaj, njerëzit e kësaj bote ishin të zhve­shur nga individualiteti i tyre, meqë ata sipërfaqësisht ishin të kënaqur dhe të lumtur dhe nuk e vrisnin mendjen aq tepër për lirinë individuale. Në këtë roman autori, ashtu sikurse Xhorxh Oruelli në romanin e tij “1984”, bën përçapje për ta paralaj­mëruar dhe alarmuar shoqërinë nga rreziku i krijimit të një bote dhe pushteti të tërëfuqishëm, që kontrollon dhe survejon popullatën orë e çast dhe në çdo cep të botës. Por, dallimi kryesor midis këtyre dy romaneve është se ndërsa në veprën “1984” kontrolli arrihet dhe bëhet përmes mbikëqyrjes dhe vëzhgimit të vazhdueshëm të qeverisë, policisë sekrete dhe torturave çnjerëzore, pushteti në romanin “Një botë e re e virtytshme” mbahet dhe ruhet, duke i bërë qytetarët e saj kinse aq të lumtur dhe të kënaqur saqë të mos qajnë kokën dhe të mos merakosen aq fort për lirinë personale. Së këndejmi, në romanin “Një botë e re e virtytshme” pasojë e kontrollit absolut të shtetit është humbja e individualitetit, dinjitetit, moralit, vlerave dhe ndjenjave apo, thënë troç, humbja e gjithçkaje që është njerëzore dhe fisnike. Në këtë roman shteti abuzon me shkencën, e sidomos shkencën e biologjisë, e cila në Botën e re kishte avancuar aq shumë saqë ishte e mundur të zbuloheshin misteret dhe fshehtësitë e bartjes së veçorive trashëguese, ndaj dhe shteti i keqpërdor, manipulimon dhe abuzon me këto të arritura në fushën e gjenetikës për të krijuar njerëz dhe qytetarë të dëgjueshëm. Njëherësh, shteti në këtë roman e përdor shkencën si mjet për ta zhvilluar teknologjinë, e cila ia bënte të mundur të krijonte një botë të lumtur, të drejtë, të bukur, por vetëm sa për sy e faqe dhe nga jashtë. Për më tepër, shteti e censuron dhe kufizon veprimtarinë shkencore, meqë kontrollorët e shtetit ishin të vetëdijshëm se thelbi dhe esenca e shkencës është kërkimi i të vërtetës, ndaj kjo do ta rrezikonte dhe kërcënonte stabilitetin dhe ekzistencën e këtij shteti utopik.

Në kohën kur e shkroi këtë roman Hakslli nuk e shihte rrezikun e drejtpërdrejtë nga krijimi i një shteti dhe shoqërie të tillë ngaqë arritja e një zhvillimi kaq të lartë dhe të avancuar shkencor për të krijuar “Botën e re të virtytshme” në kohën kur jetoi ai ishte e pamundur. Ndaj, ai nuk e përcaktoi nga pikëpamja kohore utopinë apo distopinë e vet. Për më tepër, përplasjet apo konfliktet në vepër, ku as e kaluara as e ardhmja nuk dalin ngadhënjyese, i japin këtij romani një fuqi të madhe, por e lënë në mes edhe një pyetje po kështu të rëndësishme: Cila është bota që Hakslli e sheh si ideale dhe a thua mund të ekzistojë një botë e tillë?

Në fund, do thënë se ky roman i letërsisë moderne angleze është pa dyshim një nga kryeveprat jo vetëm të letërsisë moderne angleze, por edhe të letërsisë botërore. Sa jam në dijeni, kjo vepër është përkthyer në shumicën e gjuhëve të rëndësishme të botës, ndaj shpresoj se, sikundër shumë vepra dhe krye­vepra të letërsisë moderne angleze dhe botërore, edhe kjo vepër do të përkthehet së shpejti në gjuhën shqipe.

(Marrë nga numri 12 i revistës “Akademia”)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
B. BENET dhe M. BERGER Emri “intelektual” është një ndër…