Vdes enciklopedisti i folklorit tonë burimor, Shaqir Hoti

11 prill 2021 | 00:00

Enciklopedisti i folklorit tonë burimor, Shaqir Hoti ka ndërruar jetë. Lajmin e ka bërë të ditur këngëtari Ilir Shaqiri nëpërmjet një postimi në profilin e vet në “Facebook”, raporton “Epoka e re”.

Shaqir Hoti u lind në Has, pranë brigjeve të Drinit të Bardhë, me 14 qershor, 1936. Mjeshtrja e tij artizanale, instrumentet e tij frymore, krijimet e tij muzikore, interpretimet e tij dhe punimet shkencore në fushën e folkloristikës do të jenë vlera të paçmueshme për Institutin e Folklorit dhe Muzeun Kombëtar.

Postimi i plotë i Ilir Shaqirit në “Facebook”:

Është ndarë nga jeta enciklopedisti i folklorit tonë burimor, Shaqir Hoti

U lind në Has, pranë brigjeve të Drinit të Bardhë, me 14 qershor, 1936.

Ende pa e mësuar mirë shqiptimin e fjalëve në gjuhën tonë të bukur, mësoi renditjen e gishtave në pipëz, teksa bubërrohej në prehër të babait, Xheladinit, derisa ai interpretonte mjeshtërisht në fyell e kavall.

Kjo dashuri fëmijërore për instrumentet frymore të traditës, do ta përcillte tërë jetën. Dhe e mbushi atë (jetën) me krijime, interpretime dhe studime të paçmueshme në kulturën e traditës sonë të pastër. Mbi 2000 instrumente janë gdhendur nga duart e tij, mijëra melodi janë luajtur nga gishtat e tij, qindra këngë e valle mbajnë vulën e tij, shpirtin e tij.

I lidhur fort me vendlindjen, ai mblodhi lëndën e parë nga: dheu, druri, guri, bari, briri, gjethi, kallami, lëkura, gëzhoja e frytit të arrës e të lajthisë, nga çdo gjë në natyrë që ka një brendi, një hapësirë ku mund të hyjë ajri dhe me punë artizanale, me mjete fare të thjeshta i bëri ato që të flasin në gjuhën e bukur muzikore.

Në fushën e folklorit, kjo krijimtari ka vlera të padiskutueshme: historike, antropologjike, etnologjike, etnografike, estetike dhe semiotike, duke qenë frymëzuese e përbotshme, burim i pashtershëm për krijimtarinë e re muzikore artistike të etnisë sonë.

Ndaj, mjeshtrja e tij artizanale, instrumentet e tij frymore, krijimet e tij muzikore, interpretimet e tij dhe punimet shkencore në fushën e folkloristikës do të jenë vlera të paçmueshme për Institutin e Folklorit dhe Muzeun Kombëtar, të cilët duhet patjetër ta krijojnë një hapësirë në ambientet e tyre (kërkesë kjo e para 10 vitesh), që do të emërtohej “Oda e Shaqës”, aty ku do të takohemi përherë ne dhe brezat që do të vijnë, me artin e tij, me shpirtin e tij.

Lamtumirë, baca Shaqë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot i është bërë një vizitë mërgimtarit Albert Bucolli "SGN…