Veprimtari Bali Dervishi ishte i pathyeshëm në idealin e tij kombëtar
Nën organizimin e Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës dhe Lëvizjes Shoqëria, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të mërkurën është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar veprimtarit Bali Dervishi, me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së tij.
Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, të Lëvizjes Shoqëria, përfaqësues të Komunës së Vushtrrisë, profesorë universitarë, bashkëveprimtarë të Bali Dervisht dhe familjarë të tij.
Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, ka thënë se veprimtari Bali Dervishi ishte bashkues, i dashur dhe qortues për të mirën e kombit. “Ai ishte shumë i dashur. Dinte edhe të na qortonte që mos të gabonim”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se bashkimi na duhet edhe tani. “Një bashkim që na këndell dhe që na shtynë përpara. Jam i bindur se kjo edhe do të ishte porosia e Bali Dervishit”, ka thënë Hyseni, raporton “Epoka e re”.

Tahiri Krasniqi, kryetar i degës së Shoqatës së të Burgosurve Politik në Vushtrri, ka theksuar se emri i Bali Dervishit është i respektuar jo vetëm për vitet e gjata që i kishte mbajtur në burg (13 vite), por edhe për angazhimin e tij të pandalshëm për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.
Krasniqi ka thënë se veprimtari Bali Dervishi sa ishte në krye të degës së Shoqatës së të Burgosurve Politik në Vushtrri, bënte punë të palodhshme, ndihmonte familjet e të burgosurve dhe ishte parimor. “Fjala e tij ishte largpamëse dhe shpirti i tij ishte i pathyeshëm për idealin për bashkimin kombëtar”, ka thënë Tahir Krasniqi.
Meriman Braha, ish i burgosur politik, në fjalën e tij, ka evokuar kujtime në kohën sa ishte në burg së bashku me të ndjerin, veprimtarin Bali Dervishi.
Braha ka theksuar se veprimtari Bali Dervishi ishte angazhuar fuqishëm në ballë të demonstratave të ’81-s në Vushtrri dhe në mbarë Kosovën me kërkesën: Republikë. “Ai ishte unik. Ka qenë i kujdesshëm për shokët. Balia ka pasur një sistem të mirë të afrimit, që mos të ndahemi. Bashkë rrinim dhe bashkë hanim bukë. Dhe mund t’ju them se rol të parë, të rëndësishëm në çdo aktivitet ka pasur Bali Dervishi. Familja të jetë krenare dhe të ruajë kujtimet me të mira për të”, është shprehur Braha.

Për një fjalë rasti në këtë akademi ka folur edhe Nasuf Aliu, kryesues i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, dhe nip i veprimtarit Bali Dervishi.
Ai ka thënë se kur shikonte duart e dajës (Bali Dervishit) shihet vuajtjet e tij për vite në rrugëtimin për lirinë e Kosovës.
Aliu në emër të institucioneve lokale të Komunës së Vushtrrisë ka falënderuar këtë gjeneratë veprimtarësh për punën e madhe që kanë bërë në çështjen kombëtare.
Kurse, veprimtari ish i burgosur politik i vitit 1981, Gani Krasniqi, ka thënë se Baliu iu bë krah UÇK-së me të gjitha fuqitë e tij. “Ai thoshte se atdheu ka kuptim vetëm atëherë kur është i lirë dhe i bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka treguar se Bali Dervishi ishte njëri nga organizatorët kryesor të demonstratave të ’81-s në Vushtrri. “Thoshte se pa luftë nuk fitohet liria. I rrethuar nga tytat e policisë serbe ai kishte ngarkuar vajzën e tij, Afërditën, për ta ngritur flamurin kombëtar. Pra përveç babës dënohet me burg edhe vajza e tij në moshë të re”, ka treguar Krasniqi.

Gani Krasniqi ka thënë se Bali Dervishi ishte i pathyeshëm në veprimtarinë e tij. “Bali Dervishti nuk ishte i thyer, përkundër torturave çnjerëzore që i bëhej ai qëndronte me kokë lartë i pathyeshëm”, ka thënë Krasniqi, i cili ka vlerësuar angazhimin e Bali Dervishit në Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës. “Ai në terren ishte i palodhshëm, ishte shembull i mirë për anëtarët tjerë të Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, dhe dega e kësaj shoqate ishte shumë mirë e organizuar”, ka thënë ndër të tjera Gani Krasniqi, ish i burgosur politik.
Në fund të kësaj akademie, të pranishmit i ka përshëndetur vajza e veprimtarit të ndjerë Bali Dervishit, Afërdita Dervishi.

“Në të gjitha situatat jetësore, pa marrë parasysh kishte a s’kishte bukë, kishte a s’kishte libra, kishim apo s’kishim me çka të shkonim në shkollë, babai im, Bali Dervishi, na mësoi se kurrë nuk duhet të dorëzohemi para pengesave që na ranë hise. Ai bashkë me nënën, Rrahimën, u kujdesën që edhe kur na mungonte çdo gjë, edhe kur na largonin nga shkolla, nga grupi dramatik, nga sporti, nga praktika, nga vallëzimi, si fëmijë të ‘irredentistit” e “armikut” të socializmit jugosllav, ata, pra, na mësuan se dinjiteti është e vetmja vlerë që mëson njeriun të ecë vertikalisht në jetë. Faleminderit babë që na mësove të ecim drejt! Faleminderit babë që na mësove se atdheu është mbi të gjitha. Në emër të familjes së Bali Dervishit ju falënderoj nga zemra që sot bashkë me ne, ndamë kujtimin dhe nderimin për Bali Dervishin”, ka thënë Afërdita Dervishi.
(Epoka e re/ M.Q)



