Veseli: Dëshmorët na lanë amanet, atdheun ta mbajmë të paprekshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka përkujtuar disa nga betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Veseli ka thënë se në betejën në Grykën e Llapushnikut dhe në atë të Çabratit kanë dhënë jetën jetën për liri dhjetëra luftëtarë e martirë, si tregues që liria paguhet gjithmonë shtrenjtë.
“22 vjet më parë, u zhvillua një nga betejat më të ashpra ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë në Grykën e Llapushnikut. Përmasat e luftimeve frontale të Llapushnikut, bënë jehonë në gjithë Evropën dhe rritën besimin e popullatës në forcën e UÇK-së duke masivizuar mobilizimin. Në të njëjtën periudhë një vit më pas, ndodhi ‘Epopeja e Çabratit’ ku forcat heroike të UÇK-së bënë betejën e parë urbane të Luftës së Kosovës.
“Në të dy këto beteja të lavdishme, dhanë jetën për liri dhjetëra luftëtarë e martirë, si tregues që liria paguhet gjithmonë shtrenjtë. Ata na kanë lënë amanet atdheun, për ta mbrojtur e për ta mbajtur të paprekshëm. Na kanë lënë amanet Kosovën, që ta zhvillojmë e shndërrojmë në një vend të begatë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/photos/a.268197093355504/1583131558528711/?type=3&theater



