Veseli fillon vizitën zyrtare në Kroaci, pritet nga homologu kroat Jandrokoviq

07 shkurt 19:59

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar vizitën zyrtare në Kroaci, me pritjen shtetërore nga Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.

Të dy homologët biseduan për raportet e mira që Parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të thellohet dhe avancohet edhe më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare, posaçërisht në sferën e diplomacisë parlamentare. Në funksion të kësaj, Kryeparlamentari Veseli e njohu homologun kroat me formimin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Kroaci në Kuvendin e Kosovës.

Veseli shprehu interesimin për fuqizimin e bashkëpunimit në sferën e zbatimit të MSA-së, me ç’rast çmoi rolin e Tonin Picula, si raportues dhe eurodeputetëve kroatë si mbështetës të këtij procesi. Kreu i Kuvendit tha se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja kroate në fushën e zhvillimit ekonomik dhe institucional, e sidomos në sferën e integrimit europian.

“Kroacia është partner i Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Ka qenë një nga përkrahësit e parë të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ne presim edhe më shumë përkrahje nga Kroacia, veçanërisht në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, pasi është një rrugëtim që shteti kroat me sukses e ka kaluar. Kosova ka mundësi të merr edhe përvoja parlamentare nga Kroacia por edhe në shumë fusha tjera. Ne do të intesifikojmë raportet tona si dy shtete mike”, tha kryeparlamentari Veseli.

Po ashtu, Veseli e konsideroi të rëndësishme mbështetjen e Kroacisë në lobimin që po bën Kosova në kërkim të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi, Kryetari i Parlamentit kroat, Jandrokoviq, shprehu dëshirën për thellimin e bashkëpunimit midis dy Parlamenteve, intensifikimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe njëkohësisht shprehu gatishmërinë për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj zhvillimore dhe integruese.

Gjatë qëndrimit në Parlamentin kroat, kryeparlamentari Veseli i shoqëruar nga homologu i tij kanë ndjekur nga afër edhe punimet e seancës plenare, ndërsa kryesuesi i seancës dhe deputetët e kanë falënderuar kreun e Kuvendit të Kosovës për vizitën në Kroaci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka vizituar objektin…