Veseli, kujton vëllezërit Bytyqi: Kosova nuk ju harron kurrë!

08 korrik 2020 | 21:46

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kujtuar në 21-vjetorin e rënies tre dëshmorët e “Batalionit Atlantiku” Agron, Yll e Mehmet Bytyqi.

Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kosova asnjëherë nuk i harron vëllezërit Bytyqi. “Me atdhedashurinë e pashoqe, me besim në idealet, iu bashkuan Batalionit “Atlantiku”, krenarisë sonë në luftën çlirimtare, e cila erdhi nga djepi i lirisë, Amerika”, ka shkruar Veseli në profilin e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Veselit:

Në përvjetorin e vrasjes të tre vëllezërve heronj, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, kujtojmë me nderim të thellë, përkushtimin e tyre atdhetar, të familjes Bytyçi dhe diasporës tonë, e cila nuk kurseu asgjë për lirinë e Kosovës.

Ylli, Agroni e Mehmeti me atdhedashurinë e pashoqe, me besim në idealet, iu bashkuan Batalionit “Atlantiku”, krenarisë sonë në luftën çlirimtare, e cila erdhi nga djepi i lirisë, Amerika.

Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për krimet e rënda që shteti i Serbisë kreu kundër qytetarëve të Kosovës. Në këtë përvjetor të rënies së tyre, të gjithë ata që planifikuan dhe ekzekutuan krimin makabër, duhet të dalin para drejtësisë.

Lavdi e përjetshme për vëllezërit heronj, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi. Kosova nuk ju harron kurrë!

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka komentuar propozim-vendimin…