Veseli: Lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë, por do t’ia dal (Video)

14 gusht 2019 | 18:00

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se me besimin e qytetarëve në zgjedhjet e reja parlamentare, do ta nisë betejën më të madhe në karrierën e tij politike, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Ai ka thënë se këtë betejë, e cila është shumë e vështirë, e ka nisur nga partia e tij dhe do ta vazhdojë në të gjitha institucionet e Kosovës.

Veseli në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se ashtu siç ka luftuar kundër Serbisë, do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Shumë liderë të partive të tjera merren me mua dhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Më shumë duhet të merremi me probleme që i kanë qytetarët, që është korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, ballafaqimi me Serbinë. Për besë, po më pengon nganjëherë kur vendosim vija të kuqe mes shqiptarëve, por unë kam vijë të kuqe vetëm me Serbinë dhe deri në fund do të kem me armiqtë e shtetit të Kosovës dhe kombit tim, kombit shqiptar. Ky është orientimi im”.

“Do të kem komunikim të mirë me të gjithë për të mirën e Kosovës dhe mbrojtjen e saj për të ecë përpara. Unë jam shumë i kënaqur me reagimin e qytetarëve që po japin një përkrahje të madhe. Unë po e shoh çdo ditë nga takimet në terren. Po ua jap fjalën. Nuk e bëj këtë për vota ose për t’i fituar një palë zgjedhje dhe një pushtet. Pra, i turpshëm qoftë ai që mendon në atë. Deri në fund do të shkoj. E kam thënë dhe po e ripërsërisë se qysh kam luftuar kundër Serbisë, do të luftoj edhe kundër korrupsionit dhe dukurive negative, të cilat e dëmtojnë Kosovën, sepse po e dobësojnë Kosovën edhe në ballafaqim me Serbinë”, është shprehur Veseli.

Ai ka thënë se nuk do të jetë tolerant as ndaj njerëzve të PDK-së. “S’do të ketë në qeverisjen time katërvjeçare njerëz të korruptuar, do t’i japim mundësi njerëzve të rinj dhe të pa korruptuar. Është një rrugëtim që është i pandalshëm, vetëm vonim, nuk ka shpëtim. Ky është edhe qëllimi im jetësor në politikë, edhe pse kandidoj për kryeministër. Ta përfundojmë përfundimisht ballafaqimin me Serbinë dhe t’i japim perspektivë Kosovës sonë në luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe në punësim e zhvillim ekonomik. Me ShBA-në dhe me partnerët perëndimorë evropianë, Kosova nuk duhet assesi t’i zbehë raportet dhe t’i shikojë si armiq”, ka deklaruar Veseli.

Më tutje, ai ka folur edhe për qëndrimet e fundit të aleatëve të Kosovës, konkretisht vendeve të Quintit.

Ai ka thënë se në këto zgjedhje që po vijnë, qytetarët do të vendosin a duan të vazhdojnë rrugën e partneritetit të sigurt me aleatët perëndimorë, apo duan që vendi të mbetet i izoluar e pa miq.

Ndërsa, duke folur për takimin e djeshëm ndërmjet Isa Mustafës dhe Albin Kurtit dhe mundësisë që LDK-ja dhe Vetëvendosje të bëjnë koalicion parazgjedhor, Veseli ka thënë se nga takimet e tilla vetëm një gjë e sigurt, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk do të realizohet.

“Janë takime normale. Në rrethanat politike partitë politike edhe bëjnë koalicione. Është pak a shumë jo normale historia, të cilën e kanë këta dy persona që po tentojnë të bëhen partnerë në rrethanat e reja. Në fakt, nga ai takim mund të ketë vetëm diçka. Është takim nga i cili nuk mund të presin asgjë qytetarët e Republikës së Kosovës. Takim që ka interes t’i akomodojnë interesat e tyre, të bashkëpartiakëve të tyre, është interes për pushtet. Bile, mirë që u pa ky takim për ta parë edhe qytetarët se çfarë parimesh kanë ata në ato të cilat kanë etiketuar njëri-tjetrin”.

“Por, duhet pranuar edhe një fakt, është edhe një takim që shpreh edhe një frikë, sepse nuk mund të ballafaqohen me Partinë Demokratike të Kosovës. Për dy vjet kanë kërkuar çdo ditë zgjedhje, por në momentin kur ka dhënë dorëheqje kryeministri Haradinaj, ata mbeten të stepur. Ne në zgjedhje do të shkojmë. Askush nuk duhet t’i frikësohet vullnetit të qytetarëve. Ajo çka po kërkojnë (qytetarët), është një jetë më e mirë, një perspektivë më e mirë, e cila nuk mund të arrihet pa pasur një vizion të qartë, një vendosmëri të cilën e ka Partia Demokratike e Kosovës, të cilën e kam unë për një Kosovë perëndimore, për një Kosovë e pa kompromis në luftën kundër korrupsionit, kundër nepotizmit”, ka thënë Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka…