Vetëvendosje kundërshton arritjen e marrëveshjes për demarkacionin 

25 shkurt 2018 | 12:41

Lëvizja Vetëvendosje (LV) nëpërmjet një komunikate për medie ka kundërshtuar arritjen e marrëveshjes për votimin e demarkacionit me Malin e Zi në mes të PDK-së, AAK-së, Nismës dhe LDK-së.

Sipas LV-së, ky pazar fjalësh dhe kjo marrëveshje ia humbë 8 200 hektarë Kosovës.

Vetëvendosje ka thënë se kryeministri Haradinaj është zmbrapsur nga qëndrimi i tij i mëparshëm.

“Duke qenë se kryeministri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët. Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8 200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht kryeministër.  Ne nuk e mirëkuptojmë dhe as e kuptojmë zellin e askujt që shtyn një marrëveshje të tillë për vendin. Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm. Lëvizja Vetëvendosje  do ta kundërshtojë atë”, është thënë në komunikatën e Vetëvendosjes.

Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:

Pazar fjalësh që prapë na i humb 8 200 hektarë. Pas fjalëve të forta në seancën e së premtes në Kuvend, kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me LDK-në për votimin e demarkacionit me Malin e Zi.

E kanë shtuar fjalën “si orientim” për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë.

Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8 200 hektarë njësoj.

Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar.

Brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi.

Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajn vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme.

Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?

Duke qenë se kryeministri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët.

Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8 200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht kryeministër.

Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare.

Ne nuk e mirëkuptojmë dhe as e kuptojmë zellin e askujt që shtyn një marrëveshje të tillë për vendin. Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm. Lëvizja Vetëvendosje  do ta kundërshtojë atë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një orë e gjatë rreth 152 metra do të vendoset…