Vjosa Osmani emëron Blerim Velën Shef të Stafit

07 prill 2021 | 21:26

Presidentja e zgjedhur, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në facebook, ka emëruar Shefin e ri të Stafit në kabinetin e saj.

Shef i Stafit të Presidentit është emëruar Blerim Vela, shkruan Gazeta Express.

Në shkrimin e saj, Osmani ka treguar pozitat të cilat Vela i mbante në të kaluarën, para se të emërohej Shef i Stafit.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Osmanit:

Blerim Vela është emëruar sot Shef i Stafit të Presidentes.

Blerim Vela ka përvojë profesionale 20 vjeçare në fushën e qeverisjes demokratike, politikës së jashtme dhe parlamentarizmit. Ka punuar kryesisht me organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, UNDP-në dhe Këshillin e Evropës. Ai ka këshilluar parlamentet dhe qeveritë e vendeve të ndryshme në Evropë Lindore, Lindje të Mesme, Azi Qendrore, Kaukaz, Karaibe dhe Ishujt e Paqësorit.

Blerimi është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin e Sussex-it në Britaninë e Madhe, Departamenti i Politikës, aty ku edhe ka përfunduar magjistraturën në fushën e politikës evropiane. Studimet në nivelin Baçellor i ka përfunduar në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Më herët ka ligjëruar në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe Universitetin e Sussex-it.

Blerimi jeton në Prishtinë së bashku me gruan Shqipen dhe djalin Malin. Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, ndërsa ka njohuri të avancuara të gjuhës serbe dhe asaj maqedonase.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri, ka folur për…