Vrasja për pronë në Podujevë, babai që akuzohet se vrau djalin thotë se nuk e dinte se ai ishte në traktor

22 shkurt 2024 | 11:51

I akuzuari Naim Smajli gjatë dhënies së mbrojtjes tha se në momentin që në njërën arë që ishte e familjarit me të cilin sipas tij kishin gjithmonë mosmarrëveshje, kishte parë traktorin e familjes (së Smajlit), iu duk e pabesueshme se kishte gjuajtur në drejtim të traktorit, pa e ditur se është djali i tij, tani i ndjeri E.S aty.

“Jo, kurrë hiç s’më ka shku mendja kurrë”, tha i akuzuari Smajli, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij, Abit Asllani.

Në këtë rast, Smajli akuzohet se ka vrarë djalin e tij E.S., në vitin 2022 në fshatin Bajçinë të Podujevës për çështje pronësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari tha se nuk kishte për qëllim ta privonte nga jeta djalin e tij, e se edhe nëse nuk iu beson askush, këtë gjë e di vetëm ai dhe Zoti.

Po ashtu, Smajli tha se largësia e tij me traktorin e familjes në arën e familjes me të cilën kishin mosmarrëveshje, ishte në distancë diku 100 ose 150 metra dhe se nuk e kishte parë se kush ishte në traktor.

Sipas të akuzuarit, qëllim i gjuajtjes me armë ishte që të ndalet traktori i tyre në arën e armiqve, i cili ishte në lëvizje dhe jo diçka tjetër dhe se pas gjuajtjes me armë kishte shkuar në shtëpinë e tij, ku edhe e kishin arrestuar Policia.

Sipas tij, të vetmin “hasëm” e me të cilin nuk ka pasur raporte të mira ishte familjari i tij Sh.S dhe se i njëjti gjatë gjithë kohës prej moshës 5 vjeçare e deri sot iu kishte bërë trysni dhe se tri herë e kishte djegur shtëpinë e tyre.

Gjithashtu, Smajli tha se kurrë në jetën e tij as shuplakë nuk i ka rënë djali të tij- tani të ndjerit E.S dhe se më të kishte raporte të shkëlqyera dhe po ashtu raporte të mira kishte edhe me prindërit e tij.

“Kurrë shuplakë s’i kam ra, qe ku o vajza, vetne”, deklaroi Smajli.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Besa Limani, i akuzuari Smajli tha se nuk është e vërtetë se në Polici ka thënë se më mirë është të mbys një mashkull (duke aluduar për djalin e tij) sesa të lëshojë vendimin bashkë me familjen.

Sipas Smajlit, fjalën nuk e ka pasur për vrasjen e djalit kur ka thënë ‘të mbys një mashkull’, por se e kishte fjalën për Sh.S, duke shtuar se nuk e di si e ka shkruar Policia, por nuk e ka pasur fjalën për djalin e tij.

Gjithashtu, i akuzuari Smajli tha se në vendin e ngjarjes kishte lënë pushkën dhe dy granata dore dhe se nuk i kujtohet sa herë ka shtënë me pushkë.

Në fund, tha se nga ky veprim e ka dëmtuar veten e tij dhe theksoi se nuk kishte probleme me djalin e tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.

I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.

Me këto veprime, Smajli akuzohet nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri më 13 qershor 2022, ka mbajtur në e armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan…