Vuçiq: Njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës është dëshirë e BE-së, jo e Serbisë

15 qershor 2022 | 13:17

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e Bashkimit Evropian (BE) por jo e Serbisë.

Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.

“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën”, ka thënë Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një eventi të zhvilluar në Beograd.

Vuçiq ka theksuar se nuk e konteston rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Evropian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.

Ai gjithashtu ka thënë se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes, raporton REL.

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën, më 14 qershor raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Endrit Krasniqi dhe mbrojtësi Gledi Mici ishin larguar nga…