Vuçiqi dhe Merkeli biseduan për Kosovën

11 nëntor 2018 | 13:53

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar në Paris, ku kanë marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Në një komunikatë nga Presidenca e Serbisë, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”, është thënë se dy zyrtarët biseduan për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, situatën në rajon dhe integrimin evropian të Serbisë.

Vuçiqi, e ka informuar Merkelin për rrjedhën e dialogut me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për veprimet e fundit të Prishtinës që kanë të bëjnë me vënien e taksës doganore mbi mallrat që importon nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës 10 për qind mbi të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja.

Kjo ka bërë që Vuçiqi, dy ditë më vonë, të paralajmërojë se nuk do të takohet për bisedime me homologun kosovar, Hashim Thaçi, derisa të jetë në fuqi taksa.

Në takim me Merkelin, Vuçiq po ashtu e ka informuar atë për, siç është thënë në komunikatë, përmirësimin e gjendjes ekonomike në Serbi dhe e falënderoi për rritjen e numrit të investimeve gjermane në Serbi.

Merkeli, në anën tjetër, e ka mirëpritur “suksesin ekonomik të Serbisë” dhe ka theksuar se “dëshiron të ndihmojë që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ruhet paqja dhe stabiliteti”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar mbrëmë…