Vizita e Krasniqit në Kosovë, Demaku: Ish-udhëheqësit e UÇK-së po vijnë vetëm për dhimbje
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka komentuar në seancën parlamentare vizitën e javës së kaluar të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë për arsye familjare.
Demaku ka thënë se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kthehen në vendin e tyre vetëm në raste dhimbjeje e morti, ndërsa kësaj radhe ishte radha e Jakup Krasniqit, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Ai ka shprehur shqetësim dhe indinjatë për trajtimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Kuvendit, duke rikujtuar se Krasniqi është 75-vjeçar dhe është dënuar me 25 vjet burgim.
“Shpreh shqetësimin dhe indinjatën për trajtimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Kuvendit, njeriu që gjithë jetën ia kushtoi idealit dhe lirisë”, ka deklaruar Demaku.
Ai ka kritikuar edhe pamjet gjatë vizitës së Krasniqit, duke i cilësuar si të pakuptimta, pasi, sipas tij, nuk është marrë parasysh respekti ndaj familjes dhe trajtimi njerëzor në rrethana tepër të ndjeshme.



