Maqedonci në Tiranë: Kosova dhe Shqipëria duhet të thellojnë bashkëpunimin për sigurinë e informacionit dhe kërcënimet kibernetike
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë të enjten në Tiranë në konferencën me temë “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK-ut”, e organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) i Republikës së Shqipërisë dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) e Republikës së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, ministri theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe domosdoshmërinë e koordinimit ndërinstitucional dhe të përfshirjes aktive të shoqërisë civile në të dyja vendet, me qëllim që të adresojë sfidat që lidhen me sigurinë e informacionit dhe kërcënimet kibernetike.
Po ashtu, ministri Maqedonci tha se bashkëpunimi i ndërsjellë, shkëmbimi i përvojave dhe avancimi i kapaciteteve institucionale, në përputhje me standardet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, përbëjnë elemente thelbësore për forcimin e sigurisë së përbashkët dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
Ministri ritheksoi përkushtimin për të bashkëpunuar vazhdimisht që të avancojë më tej kapacitetet në fushën e sigurisë së informacionit, si kontribut për të garantuar mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të dyja vendet.



