Vuçiqi: Dronët mbi ndërtesat ushtarake janë një lloj agresioni

03 nëntor 2022 | 15:45

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia “nuk është në konflikt me askënd”, por nuk mund të lejojë që dikush të spiunojë ushtrinë e saj.

Duke komentuar rrëzimin e një droni pranë ndërtesave ushtarake afër Rashkës në jug të Serbisë, Vuçiqi ka thënë se kjo nuk është hera e parë që fluturake pa pilot janë hasur mbi ndërtesa ushtarake të forcave të armatosura serbe dhe se kjo përbën “një lloj agresioni”.

“I kemi detektuar ditë më parë dhe ne i paralajmëruam ata. Ky lloj vëzhgimi dhe puna e paligjshme e inteligjencës përbën një lloj agresioni kundër një shteti sovran”, ka thënë Vuçiqi për gazetarët gjatë vizitës në një qendrën stërvitore ushtarake ku po zhvillohen stërvitjet “Manovrat 2022”.

Vuçiqi ka thënë se “po punohet” për të përcaktuar se kush e ka operuar dronin komercial që ushtria serbe tha se e rrëzoi më 2 nëntor afër garnizonit të ushtrisë serbe në Rashkë.

“Ata përdorën dron komercial duke menduar se nuk mund të zbulohet se kush është pronari i tij dhe kush qëndron pas këtyre veprimeve të paligjshme”, është shprehur Vuçiqi.

Sa i përket këtij incidenti, Vuçiqi ka thënë se “aktiviteti i përbashkët kundër Serbisë është menjëherë i dukshëm”.

“Nuk do ta quaja armiqësor sepse ka konotacion tjetër në shtet dhe rajon. Ne nuk jemi në konflikt me askënd, por a do të dëshironit që dikush të spiunojë ushtrinë tonë, të hyjë në çdo hangar në territorin e Serbisë qendrore dhe të numërojë çdo plumb dhe granatë që kemi”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka theksuar se më 2 nëntor, dronët e NATO-s “kanë qarkulluar gjatë gjithë ditës në Bërnjak dhe Jarinjë”, që janë pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

“Ata ishin 200 deri në 500 metra larg vijës administrative, NATO në këtë rast ndoqi të gjitha procedurat. I pamë dhe nuk patëm asnjë problem, por ne kemi të drejtë të rrëzojmë dronët në përputhje me Rezolutën 1244 dhe me Marrëveshja e Kumanovës”, ka thënë Vuçiqi, raporton “Rel”.

Më 1 nëntor, Vuçiqi ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë se gatishmëria ushtarake u rrit për shkak se dronë nga Kosova hynë në Serbi dhe vëzhguan pozicionet dhe ndërtesat e ushtrisë serbe.

Kosova ka mohuar se dronët kanë shkuar nga territori i saj në Serbi. Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë më 1 nëntor se këto pretendime po bëhen për të përhapur panik në mesin e qytetarëve.

Urdhri i Vuçiqit për rritjen e gatishmërisë ushtarake erdhi në ditën kur në Kosovë nisi zbatimi i planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Kosova i konsideron ilegale targat e lëshuara nga Serbia, por deri më tani i ka toleruar ato në veri të Kosovës. Si pjesë e stërvitjeve trijavore ushtarake për forcat aktive dhe ato rezervë të ushtrisë serbe, gjatë vizitës së Vuçiqit, u testua edhe raketa kundërtanke ruse “Kornet”.

Vuçiqi ka thënë se këto “janë raketat më të mira për qëllimet që Serbia ka”.

Në fillim të marsit 2020, sistemi rus kundër-ajror “Pancir S1”, të cilin Serbia e bleu nga Rusia, iu dorëzua Serbisë. “Pancir S1” u dorëzua në Serbi nga aeroplani rus Antonov 24 “Ruslan”, pjesërisht edhe përmes hapësirës ajrore të Bullgarisë, një anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Ai po ashtu ka thënë se “Serbia sot është më e fuqishme sesa ka qenë më parë”.

“Detyra jonë kryesore është të ruajmë paqen dhe në këtë drejtim ne po bëjmë të mirën”, ka deklaruar Vuçiqi.

Gjatë stërvitjeve po ashtu janë shfaqur edhe armë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Faqja zyrtare e UEFA Ligës së Kampionëve ka publikuar 11-shen…