Vuçiqi: E themi me siguri se Radoiçiqi nuk e ka vrarë Ivanoviqin

27 nëntor 2018 | 08:56

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti serb dhe policia mund të thonë me siguri se Millan Radoiçiq, nënkryertar i Listës Serbe, nuk e ka vrarë politikanin serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Vuçiq ka thënë për Radio-Televizionin e Serbisë se Radoiçiq “nuk ka marrë pjesë në organizimin, logjistikën apo nxitjen” e vrasjes së Ivanoviqit.

Ai ka theksuar se Radoiçiq është intervistuar nga prokurorët në Beograd dhe se është vërtetuar se ai nuk ka marrë pjesë në vrasje.

Vuçiq ka thënë se Prishtina ka dashur ta vrasë Radoiçiqin gjatë përpjekjeve për ta arrestuar atë, pak ditë më parë.

Policia e Kosovës ka arrestuar javën e kaluar në veri të Mitrovicës tre persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, të cilëve më pas u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokurori special i Kosovës, Sylë Hoxha, ka konfirmuar se autoritetet në Kosovë janë në kërkim edhe të Radoiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, subjekt politik në Kuvendin e Kosovës.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn është në kontakt…