Vuçiqi tha se Kurti dëshiron ta rrëzojë Ali Ahmetin nga pushteti, kundërpërgjigjet Xhaferi

12 shkurt 2024 | 15:01

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka folur të hënën në lidhje me deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti po tenton ta rrëzojë nga pushteti BDI-në dhe Ali Ahmetin”.

Xhaferi ka thënë se ndërhyrjet nga jashtë janë të shumta. Ai ka thënë se ka tendenca kundër BDI-së, të cilat kanë për qellim të dëmtojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Fakti i ndërhyrjeve nuk mund të përkufizohet vetëm te Vuçiqi. Fatkeqësisht ka mjaft ndërhyrje siç mund ta përcillni nga mediet. Është tendencë e koordinuar kundër BDI-së, por jam i bindur se qytetarët mund t’i definojnë qartë këto elemente dhe kjo është propagandë gjoja kundër BDI-së, por në esencë është kundër arrishmërive të shqiptarëve si popull këtu. Ajo që propagohet se gjoja po na dilka zot Vuçiqi, mendoj se e kanë të qartë edhe fëmijët në djep se cili është qëllimi i fundit i kësaj përpjekje”, ka thënë Xhaferi.

Ndryshe, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në të cilën është diskutuar për situatën në Kosovë pas ndalimit të dinarit serb, Aleksandër Vuçiq në një deklaratë për mediet amerikane, ka folur për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai po ndërhyn në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Sipas Vuçiqit, Kurti dëshiron ta rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin dhe BDI-në.

Kjo deklaratë e tij ka shkaktuar reagim të madh nga partitë politike opozitare shqiptare në Maqedonisë e Veriut, të cilat kanë theksuar “Vuçiqi ka dalë në mbrojtje të Ali Ahmetit dhe BDI-së”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rrjet energjetik komplet i ri tashmë shtrihet në fshatrat…