Vushtrria, gati ta befasojë edhe Prishtinën

04 prill 2018 | 10:38

Sot (e mërkurë) nga ora 14:00 zhvillohen dy ndeshjet e para gjysmëfinale në garën e Kupës në futboll. Prishtina e pret Vushtrrinë në Pejë, kurse derbi i skuadrave kuqezi, Drenica – Vëllaznimi, zhvillohet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Skuadra e Ligës së Parë, Vushtrria, është e gatshme ta vazhdojë ecurinë fantastike në garën e Kupës edhe përkundër faktit se përballë e ka skuadrën e Prishtinës. Kapiteni i vushtrriasve, Labinot Osmani, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Prishtinës, ka thënë se triumfi ndaj skuadrave të Superligës konfirmon se ndaj Vushtrrisë duhet pasur respekt, kurse për ndeshjen ndaj Prishtinës është optimist se skuadra e tij mund t’ia arrijë qëllimit që ta eliminojë nga gara e Kupës.

“Ecuria jonë në garën e Kupës sivjet ka qenë e suksesshme. Këtë e them për faktin se ekipet e Superligës kanë qenë favorite dhe mjaft të organizuara, kurse ne ia kemi dalë t’i eliminojmë. Sigurisht se synimet tona janë të rikthehemi në Superligë, por edhe në Kupë do t’i kemi shanset tona. Përballë e kemi një kundërshtar që gjithmonë kërkon trofe, por do të mundohemi të paraqitemi mirë, pse jo edhe ta eliminojmë”, ka thënë Osmani për “Epokën e re”.

Për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës ka folur edhe mbrojtësi i Prishtinës, Lorik Maxhuni. Ky i fundit ka thënë se kryeqytetasit nuk bën të gabojnë ndaj Vushtrrisë, pasi synim e kanë finalen. “Është kjo ndeshje shumë me rëndësi për ne. Kundërshtarin e vlerësoj shumë pasi, për të ardhur deri në gjysmëfinale, ka eliminuar jo rastësisht dy ekipe të Superligës. Pra, ne duhet t’i qasemi dhe të jemi të përqendruar maksimalisht në ndeshje duke e bërë detyrën për të vazhduar drejt qëllimit që kemi përpara, në finale të Kupës”, ka thënë Maxhuni.

Krahas ndeshjes Prishtina – Vushtrria që zhvillohet në Pejë, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës zhvillohet edhe ndeshja në mes të Drenicës dhe Vëllaznimit. Përballja e skuadrave kuqezi do të jetë në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

 

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i AKI-së, Driton Gashi, nuk është paraqitur për raportim…